Pas shpërbërjes së Kuvendit, reagon Presidenti, Hashim Thaçi

Presidentit i Kosovës përmes një komunikate për media është deklaruar pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.

Thaçi ka deklaruar se shpërndarja e sotme e Kuvendit përshpejton hapat për organizimin e zgjedhjeve.

“Shpërndarja e sotme e Parlamentit të Republikës së Kosovës, përshpejton hapat e organizmit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës dhe në mungesë të gatishmërisë së partive politike parlamentare për të krijuar një qeveri të re”, deklaron Thaçi.

Thaçi është shprehur se në bazë të kompetencave kushtetuese shumë shpejt do të marr vendim për shpalljen e zgjedhjeve.

“Brenda kompetencave të mia kushtetuese, ligjore dhe në përputhje të plotë me vendimin e sotëm të Kuvendit, së shpejti do të marr vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se këto zgjedhje duhet të jenë demokratike.

“Këto zgjedhje duhet të jenë mirë të organizuara, profesionale, për të siguruar një proces fer, demokratik, që mundëson një monitorim të plotë të organizatave ndërkombëtare dhe atyre vendore”, ka thënë Thaçi.

Kujtojmë se Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro shpërndarjes së Kuvendit, duke i hapur kështu rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Për shpërndarje kanë qenë 89 vota pro, ndërsa 1 kundër dhe 2 abstenime, derisa 105 deputetë ishin të pranishëm në sallë.