Pas sulmeve ndaj policisë në Veri reagon Lista Serbe, akuzojnë ministrin Sveçla

Lista Serbe ka thënë se dënon çdo lloj kërcënimi të sigurisë, pavarësisht se nga cila palë vjen.

Në një postim në Facebook, Lista Serbe, u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Lista Serbe u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve të Xhelal Sveçlës dhe Qeverisë nga Prishtina, që synojnë t’i paraqesin njerëzit tanë në veri si të këqinj dhe të krijojnë alibi për veten dhe veprimet e tyre të dhunshme ndaj popullit serb”, është thënë nga Lista Serbe.

Në postim të Listës Serbe është thënë se në veri të Kosovës nuk ka tensione dhe se të gjithë jetojnë në paqe. Por, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se po dërgon njësi speciale atje për të krijuar kaos.

“Të nderuar qytetarë, duke kuptuar gjithçka që po ndodh prej javësh, duhet ta ruajmë paqen dhe privatësinë, për të mbijetuar dhe qëndruar në këto zona. Dhe për këtë arsye ju bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje. Ne jemi në tokat tona dhe kështu do të mbetet”, thuhet në reagim.

Sot Policia e Kosovës është sulmuar te Liqeni i Ujmanit. Është shtënë 10 herë në drejtim të Policisë. Nuk është raportuar për të plagosur.

Ndaj sulmit ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.