Pas takimit me Kurtin, Isa Mustafa flet për koalicionin, ministritë e për Listën Serbe

Dy liderët e partive fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, Isa Mustafa i LDK-së dhe Albin Kurti i VV-së, kanë përfunduar takimin mes tyre.

Mustafa tha se në takimin e sotëm me Kurtin nuk janë diskutuar postet e as për ministritë konkrete, por është vlerësuar puna e ekipeve punuese mes dy partive deri më tani.

“Patëm një takim me zotin Kurti para certifikimit të rezultateve. Vlerësuam punën që është bërë mes ekipeve punuese për harmonizim të programit qeverisës, dhe erdhëm në përfundim se është arritur shumë në këtë aspekt. Në aspektin e numrit të ministrive është arritur pajtueshmëri, dhe u pajtuam që porsa të certifikohen rezultatet, të takohemi dhe të merremi vesh për qeverinë e përbashkët mes dy partive tona”, deklaroi Mustafa, raporton Koha.net.

“Për poste s’kemi biseduar sot, e as për ministri konkrete. Biseduam vetëm për atë që të merremi vesh për marrëveshjen për koalicionin tonë 4 vjeçar”.

Në lidhje me Listën Serbe si partner i mundshëm i koalicionit të ri qeverisës, Mustafa tha se do të bisedohet me ta, por “varet nga bisedimet se si do të jetë zgjidhja”.

“Edhe për Listën Serbe edhe për partnerët tjerë të koalicionit, i mbetet asaj partie që e ka kryeministrin të marrë iniciativë dhe t’i thërret tjerët për qeverisjen e re, edhe LDK-në. Prandaj, dinamika e ardhshme dhe agjenda varet nga partia e parë e këtyre zgjedhjeve. Për çështje të ndarjes së ministrive do t’ju njoftojmë pasi t’i bisedojmë ato”, theksoi kreu i LDK-së, Isa Mustafa, pas takimit me kreun e VV-së, Albin Kurti.