Presidenti slloven në Prishtinë: Të hiqen vizat për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar sot në Prishtinë, homologun e saj slloven, Borut Pahor.

Pas takimit, ata kanë mbajtur një konferencë për media.

Pahor në fjalën e tij, përmendi temat që ka diskutuar me liderët e rajonit, e në rastin e Kosovës, ai përmendi heqjen e vizave.

“Siç thashë gjatë bisedës edhe me Vuçiqin, për atë që shtetet që kanë statusin e vendeve kandidate t’iu mundësohen sa më shpejtë negociatatat. Bosnjës t’i ofrohet statusi i kandidates. Në lidhje me heqjen e vizave, që të plotësohen premtimet. Mendoj që tema është edhe kriza energjetike që na pret. Mendoj që qëllimi është që të mos harrohen shtetet e Ballkanit Perëndimor. Të them se në vitet e fundit si problem kryesor është përmendur ngecja në negociata. Por unë jam i gëzuar për një rezultat të pjesshëm të dialogut në Bruksel. Këtu në Prishtinë, dhe kudo të vijë në takime, do t’iu them tani, gjendja e besueshmërisë po dëmtohet, besueshmëria po bie”, tha Pahor.

Teksa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Kosova mbetet e përkushtuar për dialog që si përfundim ka njohjen reciproke.

“Siç e dini, Kosova mbetet e përkushtuar për dialog konstruktiv në Bruksel i cili në qendër duhet të ketë njohje reciproke. Kjo është rruga e vetme që e afron rajonin tonë drejtë BE-së. Dua t’iu falëndroj edhe njëherë për partneritetin e sinqertë. Për mbi 30 vite keni qenë në krah të popullit të Kosovës. Populli i Kosovës e vlerëson thellësisht miqësinë tuaj. Kjo mund të jetë vizita e fundit si president, por e di se nuk do të jetë hera e fundit që vizitoni Kosovën”, tha ajo.