Pasi Bislimi e përmirësoi postimin, reagon zyrtari i KE-së

Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge i reagoi përsëri zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, pasi ky i fundit shprehi keqardhje për gënjeshtrën që e bëri lidhur me takimin e djeshëm të tyre.

Berge e falënderoi Bislimin për sqarimin e rëndësishëm, duke thënë se takimi i tyre ishte shumë i mirë.

“Faleminderit për këtë sqarim të rëndësishëm @BislimiBesnik. Më i vlerësuari. Dhe faleminderit për një takim shumë të mirë dhe shkëmbim mendimesh dje”, shkroi Berge.

Ndryshe, Bislimi para disa minutash, përmes një cicërime në Twitter tha se i vjen keq që nuk e ka përdorur termat adekuat, ku në vend të fjalës ‘ai mirëpriti’ është dashur të përdoret ‘ ne informuam’.

“Me të vërtetë falënderues për @DSGBjornBerge për takimin e shkëlqyer dhe shkëmbimin e mendimeve. Me të vërtetë më vjen keq për zgjedhjen e termit joadekuat në tweet-in tim të fundit. Në vend të fjalës “ai mirëpriti”, përshkrimi i saktë duhet të thotë “ne informuam”, shkroi Bislimi.

Berge sot i ka reaguar zv.kryeministrit Bislimi për takimin, meqë në një postim në ‘twitter’ Bislimi kishte thënë se Berge ka mirëpritur aplikimin e mundshëm të Kosovës në Këshill të Evropës.

Norvegjezi ka deklaruar se ajo çfarë ka shkruar Bislimi, fatkeqësisht nuk është ajo çfarë Berge ka potencuar në takim lidhur me anëtarsimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës.