PDK e kundërshton vlerën e koeficientit prej 105€

Vlera e koeficientit e përcaktuar nga Qeveria prej 105 eurove ka ngjallur reagime të shumta të opozitës dhe disa sektorëve në administratën publike, duke e lënë të hapur mundësitë që Ligji i Pagave të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Nga PDK thonë se Qeveria Kurti të enjten do ta procedojë Ligjin për plotësim ndryshim të amendamentit për koeficientin në Kuvend.

Pasi të procedohet ky ligj, PDK-ja do të dalë më qëndrim.

Kështu ka thënë për Front Online anëtari i Komisionit për Buxhet, Ferat Shala.

Deputeti Shala tha se 120 euro duhet të jetë vlera e koeficientit e jo 105.

“Ne si PDK kemi deklaruar se minimumi i vlerës së koeficientit duhet të jetë 120 euro, së paku kjo vlerë do të përballoj shkallën e inflacionit në vend. Ne jemi duke pritur që të enjten apo javën tjetër Qeveria të procedojë ligjin për plotësim ndryshim të amendamentit për koeficientin dhe ne do të japim qëndrimin tonë në Kuvend”, u shpreh Shala.

Ndryshe, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka paralajmëruar dërgimin e Ligjit të Pagave për interpretim në instancën më të lartë gjyqësore në vend.

Ai ka thënë se gjatë leximit të parë dhe të dytë në Kuvend, nëse nuk plotësohet kërkesat e tyre për rritje të koeficientit në vlerë të 125 eurove, atëherë do ta dërgojnë në Kushtetuese.