PDK e la jashtë kryesisë, vjen reagimi i Xhavit Halitit

Gjatë ditës së djeshme është zgjedhur Kryesia e re e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ne mesin e disa figurave të njohura që mbeti jashtë këtij organi partiak ishte edhe Xhavit Haliti.

Në një bisedë për Gazetën Infokus, ai ka thënë se Kryesia është zgjedhur sipas vlerësimit që është bërë nga kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi.

“Unë jam institucionalist edhe në parti edhe në institucione. Ne kemi një marrëveshje me kryetarin e zgjedhur, që në kryesinë e ardhshme do të zgjedhën njerëzit sipas asaj që i vlerëson ai. Nuk do të jenë deputetët pjesë e kryesisë pasi që beteja e deputetëve është me e zhvillu betejën politike në kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

Haliti ka bërë të ditur se vendimi për kryesinë është në përputhje me statutin dhe nuk ka asgjë të keqe.

Deputeti i PDK-së ka treguar për Infokus se ka qenë i njoftuar para mbledhjes se nuk do të jetë pjesë e kryesisë.

“Në kam shkuar në mbledhje dhe e kam ditë se nuk jam në listë për kandidat për Kryesi, është vendim të cilin e kam mbështet dhe e kemi miratuar të gjithë bashkë”, ka deklaruar Haliti.

Sipas tij, Kryesia nuk e përfaqëson PDK-në. I vetmi person që e përfaqëson këtë parti politike është kryetari, Memli Krasniqi.

“PDK-në e përfaqëson kryetari i partisë, por kryesia është organ ekzekutiv i këshillit drejtues, organ vendimmarrës është këshilli drejtues dhe vendimet që merren në këshillin drejtues i zbaton kryesia”, ka thënë ai.