Tahiri Haxhiut: Sallahu e ka vëllain të përfshirë në fajde, s’keni kredibilitet për veting

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka replikuar me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ku tha se u ka mundësuar noterëve që të kenë monopol, dhe sipas tij, kjo është arsyeja se pse gjykata e ka anuluar Provimin e Noterisë.

“Provimi i Noterisë ka qenë i organizuar jashtëzakonisht mirë. Ti s’ki me pasë çare pa i emëru qata noterë, sepse gjykata nuk mundët ta anulojë një proces të tillë dhe ti në të ardhmen do t’i emërosh qata noterë”, tha Tahiri në replikë me Haxhiun.

Më tej, Tahiri tha se kjo është edhe arsyeja se pse Bashkimi Evropian nuk po lejon të ecët përpara me veting, sepse sipas tij, s’kanë kredibilitet, duke akuzuar zëvendësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahun, se vëllai i tij është i involvuar në fajde.

“Pra, për herë të parë vetingu nxirret si vërejte në Raportin e Progresit. S’mundet sepse ke ne staf njerëz të kriminalizuar. Ki zëvendësministër ku vëllain e ka të involvuar në fajde. Vëllain e ka të dënuar për haraç e fajde”, ka thënë Tahiri.

Por, e menjëhershme ka qenë kundërreplika e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila i tha Tahirit se hallin e ka te shkatërrimi i grupeve kriminale brenda Shërbimit Korrektues.

“Ju nuk keni të drejtë të flisni në emër të gjykatës, sepse unë mund të them që ti po ndikojshe në vendimin e gjykatës”.

“Ndërsa, sa i përket çështjes për zëvendësministrin, unë e di ku e ke hallin ti. Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, grupet kriminale që i ke pasur ti brenda Shërbimit Korrektues, t’i ka prishë Abelard Tahiri”, është shprehur Haxhiu, njofton Klankosova.tv.