PDK: Kurti na akuzoi si njerëz që nuk ia duam të mirën Kosovës

Partia më e madhe opozitare PDK ka mbajtur sot konferencë për media pas incidentit në kuvend.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti edhe në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës i akuzon mediat, opozitën e oponentët politik për bashkëpunim kundër Republikës së Kosovës.

Tahiri deklaroi se në pushtet është po i njëjti njeri që nuk u besoi proceseve që quan në shtet ndërtim.

“Për ne si opozitë është tejet e rëndësishme rrugëtimi në shtet ndërtim, prapë se prapë e kemi të njëjtin njeri që ka qenë mosbesues ndaj të gjitha proceseve dhe nuk heziton që edhe në fjalimin e tij të parë si kryeministër i Republikës së Kosovës të akuzoj mediat si bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja të akuzoj oponent të tij opozitarë, deputetët e opozitës, i akuzon si bashkëpunëtorë të kujtdo çoftë që nuk ia duan të mirën Kosovës”, ka deklaruar ai.

Tahiri u shpreh se ajo që ndodhi në seancën solemne të Kuvendit ishte për keqardhjeje por që solemniteti i saj u prish nga vet kryeministri Albin Kurti.

“Ajo që pamë sot në seancën solemne të kuvendit të Kosovës është për keqardhje, nuk ka ndodhur për asnjëherë të vetme që një seancë solemne të prishet nga fjalimi i vet kryeministrit së Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

Tahiri tha se Kurti s’i përmendi Thaçin, Krasniqin e Sejdiun të cilët ishin akterët kryesorë në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

“Në ditën solemne kur kemi ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës u prish nga fjalimi i kryeministrit Kurti. Është e papranueshme të mos përmenden akterët kryesorë, nuk mund të zhbëhet ajo që ish-kryeministri Hashim Thaçi ka thirrë seancën e jashtëzakonshme për shpalljen e pavarësisë nuk mund të zhbëhet roli i ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi e as e ish-presidentit Fatmir Sejdiu. Dua të shpreh keqardhje për sjelljen e kryeministrit Kurti në seancën solemne, Albin Kurti do të duhej të kishte rol unifikues presidentja e vendit poashtu”, tha Tahiri para gazetarëve.

Deputetët e PDK-së ishin të parët që lëshuan seancën solemne para pak minutesh derisa kryeministri Kurti ishte duke mbajtur fjalimin e tij, duke u përcjellur edhe nga LDK e AAK.