PDK mbështet idenë që Lulëkuqja të jetë simbol i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë

Partia Demokratike e Kosovës i ka dhënë mbështetje “Lulëkuqës së Kosovës” që të bëhet simbol i përkujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Kështu ka thënë kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”.

“Sot, në Ditën e Përkujtimi të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, unë dhe Partia Demokratike e Kosovës i japim mbështetje “Lulëkuqes së Kosovës” si simbol të përkujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë, të propozuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur””, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Sot, në Ditën e Përkujtimi të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, unë dhe Partia Demokratike e Kosovës i japim mbështetje “Lulëkuqes së Kosovës” si simbol të përkujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë, të propozuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”.

Në këtë përvjetor të dhembjes dhe kujtesës sonë kombëtare, kërkojmë zbatimin e Rezolutës për gjenocidin e kryer serb në Kosovë, të miratuar me 16 maj të vitit 2019 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Sipas kësaj Rezolute, ne kërkojmë që shteti i Serbisë, ndër të tjera, të pranoj se ka kryer gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës në Kosovë dhe, në të njëjtën kohë, përmes masave në nivel kombëtar dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar, të ndëshkojë ata që kanë planifikuar, kryer apo nxitur gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë.

Mbi 12 mijë persona të vrarë, prej tyre mbi 1300 fëmijë – viktima të qindra masakrave, mbi 20 mijë vajza dhe gra të dhunuara, mbi 1600 persona të zhdukur me dhunë dhe një popull i tërë KËRKOJNË DREJTËSI!

#AsnjëherëMë