PDK për takimim e liderëve: Ftesa e kryeministrit Hoti përmes rrjeteve sociale, s’është serioze!

Partia Demokratike e Kosovës ka dalë med deklaratë lidhur me ftesën e Kryeministrit Hoti për takimin e nesërm të liderëve.

Në këtë deklaratë thuhet se qasja e Kryeministrit Avdullah Hoti, duke dërguar fillimisht ftesa nga rrjetet sociale dhe studiot televizive, nuk është serioze.

“Kjo është vazhdimësi e ish Qeverisë Kurti.

Ftesa e dërguar nga Kryeministri Hoti, në mënyrën si është bërë, pa konsultim paraprak, është veprim i qëllimshëm i dështimit të takimit të nesërm.

Kosova ka ndërtuar një traditë të mirë të koordinimit dhe bashkërendimit të veprimeve për çështje të rëndësishme nacionale. Por, sjellja e Kryeministrit Hoti është kundër këtij principi dhe nuk e ndihmon, por e dëmton, frymën e bashkëpunimit për një temë të rëndësishme siç është Dialogu. Urojmë që ky Kryeministër do të reflektojë para një ftese tjetër dhe do të jetë më serioz”, thuhet në reagim.

PDK në fund thotë se “Ndryshe, aty ku janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë edhe Kosova. BE ka ndihmuar Kosovën në agjendën evropiane dhe duhet të marrë përgjegjësi edhe në procesin e Dialogut”