Pse s’po kryhen pagesat për Covid-19 në komunën e Prishtinës?

Që nga nëntor i vitit të kaluar kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ishte zotuar që t’ua jepte nga 80 euro personave me aftësi të kufizuara në këtë kohë kur vendi vazhdon të përballet me virusin korona si masë lehtësuese për këtë kategori.

Ndërsa tani këta qytetarë po ankohen se ende nuk kanë marrë paratë e premtuara. Madje sot shoqata “HANDIKOS” i është drejtuar me një kërkesë komunës duke kërkuar sqarime për atë se pse ende nuk i kanë marrë këto para.

Ata nuk janë të vetmit që kanë pritur e po presin këto pagesa. Janë edhe qytetarët që kanë qenë të prekur me Covid e që po presin nga 50 euro.

Në një përgjigje për IndeksOnline nga Komuna e Prishtinës, kanë thënë se tashmë komuna ka procedura me të gjitha pagesat sipas zotimeve të dhëna, mirëpo pagesat bëhen nga Thesari i Shtetit.

Zyrtarja për informim në këtë komunë, Miranda Mullafazliu i tha IndeksOnline se thesari është mbyllur në fund të dhjetorit dhe se po presin që ai të hapet.

“Komuna e Prishtines ka proceduar me çdo pagesë sipas zotimeve të dhëna. Pagesat bëhen nga Thesari i Republikës së Kosovës. Sipas legjialacionit dhe me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës ,Thesari është mbyllur në fund të dhjetorit për të përmbyllur vitin financiar dhe ende nuk është rihapur. Në momentin që Thesari hapet dhe mjetet alokohen për komunat sipas ligjit në fuqi dhe Komuna e Prishtinës do të vazhdojë me pagesa”, tha ajo për IndeksOnline