PDK publikon dokumente si AAK po i punëson anëtarët e saj

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Suharekë, ka publikuar disa dokumente që tregojnë punësimin e asambleistëve të AAK’së nëpër drejtori të kësaj komune, që udhëheqet nga kjo parti.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, PDK thotë se kriter për punësim në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Planifikimit, si dhe atë të Shëndetësisë, ‘është të jesh militant e pjesë e partisë në pushtet’.

Kjo pasi në këto dy pozita, janë zgjedhur anëtarë ose më saktësisht asambleistë të AAK’së, e cila udheëheqë me Bali Muharremajn në këtë komunë.

“Në konkurset e fundit të hapura në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Planifikimit, si dhe në Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale- QPS në Suharekë, si duket kriter kryesor ka qenë, të jesh militant dhe pjesë e strukturave të Partisë në pushtet”, thuhet në njoftimin e PDK’së.

PDK ka publikuar emrat e Vlora Nezirit dhe Muharrem Gollopenit, si të punësuar në këtë komunë.

Kjo parti përfundon se konkurset e tilla të kurdisura, janë duke prodhuar një situatë kur gjithsecili person që është i gatshëm për punë, nuk beson në trajtim të barabartë në rast të aplikimit në konkurse nga Komuna e Suharekës.