PDK: Vendimi i Gjykatës është argument shtesë për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për keqmenaxhimin e krizës energjetike

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, njëherësh kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Tregti, Industri dhe Ndërmarrësi, tha se ky vendim i Gjykatës dëshmon se Qeveria ka marrë vendime shumë të dëmshme për qytetarët në kohën e krizës energjetike,

Shala në konferencën për medie paralajmëroi se shumë shpejt do të themelohet Komisioni Hetimor Parlamentar ku do të zbardhen të gjitha keqpërdorimet e qeverisë me fondet publike në kohën e krizës energjetike, shkruan Demokracia.com.

“Vendimi i Gjykatës ka rilegjitimuar të gjitha kërkesat e Grupit Parlamentar të PDK-së për ndërhyrjet politike dhe pabarazinë në procesin e faturimit. Ky vendim i Gjykatës është argument shtesë për themelimin sa më parë të Komisionit Hetimor Parlamentar për ta hetuar gjithë keq menaxhimin e qeverisë gjatë krizës energjetike. Ne sot të vazhdojmë që me të gjitha mjetet demokratike që këtë paligjshmëri, pabarazi ,këtë diskriminim në faturim dhe në tërë sektorin menahues të ndërpresim me mjete demokratike ”, tha Shala.

Ndërsa anëtari i Kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci ka kritikuar Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nëpërmjet diktatit dhe presioneve në institucionet e pavarura po i detyron ato të marrin vendime të kundërligjshme dhe në dëm të qytetarëve.

“Sikurse edhe me menaxhimin e pandemisë, të arsimit, të ekonomisë si dhe me atë të shtrenjtimit të çmimeve të prodhimeve elementare për jetesë, qeveritaret dështuan, por fatmirësisht me këtë vendimi meritor me kthimin e drejtësisë në vend qytetarët triumfuan. të Mbase qytetarët mund edhe t’ia falin Qeverisë koston e gabimeve si rezultat i jokompetencës dhe paaftësisë, por assesi nuk mund t’ia falin bakshishin për deformimin e skajshëm të vullnetit të tyre që të kenë furnizim të rregullt me energji dhe çmime të përballueshme. Prandaj e ftojmë qeverinë që tu kthehet qytetarëve nga të cilët e mori besimin që të u përmirësojë cilësinë e jetesë dhe jo kështu t’i ngarkojë përveçse me barrën e të jetuarit më keq dhe më shtrenjtë edhe me barrenë e vendimeve të pa drejta dhe të paligjshme që po rëndojnë jetesën e tyre”, tha Stavileci.

Kujtojmë se PDK, në cilësinë e Paditësit pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, më datë 18 mars 2022, ka dorëzuar Padinë për shfuqizimin e vendimit Nr. 077/22, të datës 16 shkurt 2022, të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, me të cilin ky institucion kishte aprovuar tarifat me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët me të drejtë të furnizimit me shërbim universal.