Peci mundohet ta shfajësoj Gërvallën që e injoroi UÇK-në në Ditën e Çlirimit

Pretendimet se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla është kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i ka quajtur të paqena.

Sipas tij, është përpjekje e kotë që të tentohet të ndjellët diçka që është kundër UÇK-së, në gjakun e familjes Jusuf Gërvalla.

“Kjo temë është një tentativë për t’iu rikthyer një teme të shtisur sikurse në të kaluarën, në periudhën pas luftës që ka pasur një tendencë që me e fut ish-presidentin Rugova si një kundërshtar i vlerave dhe asaj se çfarë përfaqëson familja Jashari”.

“E dyta mendoj që partitë politike kryesisht opozitare, në një masë, sikur po bien pre e asaj që po e them temë e shtisur dhe mendoj që i ka dalë boja për shkak se me pretendu se Donika Gërvalla është kundër UÇK-së është thjesht e paqenë”, është shprehur Peci.

Ministri Peci ka thënë se jo vetëm ministrja Gërvalla por asnjë shqiptar nuk beson se kanë diçka kundër kauzës, veprimtarisë dhe luftës së UÇK-së.

“Në këtë kontekst, mendoj që çdo përpjekje, gjatë një viti qeverisjes, ne në Kosovë jemi përballur me një super ekskluzive e cila ka mbretëruar për një kohë të gjatë, ka qenë pritet shumë shpejt me burime të sigurta shkarkimi i Gërvallës, derisa në një intervistë kryeministri i vendit, Albin Kurti thjesht e shfyru atë balon”, ka thënë ai në debatplus.

Siç theksoi ministri, tentativa për ta prishur këtë qeveri, të gjitha qarqet opozitare janë shumë të vetëdijshëm dhe e dinë se ku duhet të sulmojnë.

“Adresat e para të sulmit që të munden ta prishin partneritetin në mes LVV-së dhe Guxo, është presidentja, zyra e presidencës, zyra e zëvendëskryeministres”, ka thënë ai.

“Mos të harrojmë se data e çlirimit 12 qershori, zyrtarisht shënohet si Dita e Paqes, në postimin e Donika Gërvalles nuk e pash në këtë rast rolin dhe kontributin e Ibrahim Rugovës, por kur flet për luftën çlirimtare, ajo i përfshin ushtrinë çlirimtare por edhe gjeneratat e tëra, rolin dhe kontributin e gjeneratave në breza, dhe rolin e kontributin dhe luftën e Shaban Polluzhës, për shkak se nuk ka luftuar vetëm ushtria por është një periudhë gati një shekullore e sakrificës së popullit të Kosovës për çlirim”.

Ai ka thënë se është mirë si temë të shtrohet se kush është mënyra e përfaqësimit në nivel institucional që i bën nder më të madh kontributit të popullit të Kosovës për çlirim në këtë rast edhe dëshmorëve të fundit të UÇK-së.

“A janë ata përfaqësuesit e dinjitetshëm, të pakorruptuar, që e përfaqësojnë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundur, a janë ata që luftojnë për Kosovën sikurse kanë luftuar ushtarët e UÇK-së apo janë ata që në emër të UÇK-së kanë abuzuar edhe thjesht kanë instaluar qeverisje korruptive që e kanë degraduar edhe nivelin e mirëqenies edhe proceset integruese të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, përfundoi ai, shkruan portaliD

Në anën tjetër, fjalëve të ministrit Peci i është kundërpërgjigjur analisti Dardan Gashi, duke thënë se nëse sulmet ndaj presidentes Osmani po shihet si sulm ndaj partisë në pushtet, atëherë sipas Gahsit “nuk është bërë prerja”.

“Nuk shkoi një vit po dalin skandalet, po dalin korrupsionet. Për ato të ministrisë së kulturës, punëve të jashtme, më herët ministria e mjedisit dhe transportit, çdo javë nga një po del”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, me rastin e 23-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ka përkujtuar të rënët për liri, ushtarët e NATO-s, dhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës që ndaluan gjenocidin dhe spastrimin etnik të shqiptarëve.

Peci e ka arsyetuar edhe presidenten Osmani për fotografinë skandaloze të Edi Ramës.
“Nuk mendoj se raportet Kosovë-Shqipëri mbi bazën e një fotografie. Presidentja nuk e ka prerë foton. Në momentin kur shkrepet një fotografi ndonjë akter mundet me qenë në disponim më të mirë dikush në disponim më të keq”, ka thënë Peci në RTV Dukagjin.

“A e keni dëgju ju akuzën e Edi Ramës pas takimit të presidentes me Gjukanoviqin, ku Edi Rama e sulmon presidenten edhe presidentin Gjukanoviq”, ka thënë Peci.