Për çfarë krime lufte dyshohet nënkryetari i Kuvendit të Serbisë

Ushtarët nën komandën e Bozhidar Deliqit dyshohet të kenë vrarë më shumë se 2100 civilë, ndërkaq rreth 450 të tjerë ende janë të zhdukur, sipas një dosje të publikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në vitin 2013.

Të gjithë ngrihen në këmbë për kryesinë e re të Kuvendit.

Në mesin e tyre, që merr duartrokitje të tilla, është edhe Bozhidar Deliq, i zgjedhur si nënkryetar i Parlamentit të Serbisë.

Sot i përfshirë në jetën politike në Beograd, por 23 vjet më parë ky komandonte Brigadën 549 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave.

Zona e tij e përgjegjësisë gjatë luftës në Kosovë përfshinte Prizrenin, Dragashin, Suharekën, Rahovecin dhe Gjakovën.

Në këto zona ushtarët nën komandën e Bozhidar Deliqit dyshohet të kenë vrarë më shumë se 2100 civilë, ndërkaq rreth 450 të tjerë ende janë të zhdukur, sipas një dosje të publikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në vitin 2013.

I lindur në fshatin Lugbunar të komunës së Gjakovës, Deliq ka treguar se si kishte luftuar kundër UÇK-së në Rrafshin e Dukagjinit.