Përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor mbështesin vazhdimin e dialogut

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Federica Mogherini mbajti një takim me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në New York, ku u shpreh mbështetje për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Bashkimi Evropian në njoftimin për media pas takimit, ka thënë se për shkak të perspektivës së qartë që Ballkani Perëndimor ka për Bashkimin Evropian, Mogherini dhe përfaqësuesit e rajonit kanë rishikuar progresin substancial të arritur dhe kanë shikuar detyrat që i presin.

“Ata shfaqën mbështetjen për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE për Maqedoninë Veriore dhe për Shqipërinë, duke theksuar se ky vendim është qenësor, jo vetëm për dy vendet e përfshira, por për tërë rajonin dhe për BE-në. Të gjithë ata mbështetën vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe arritjen e hershme të një marrëveshje ligjërisht obliguese për normalizim të plotë të marrëdhënieve”, thuhet në komunikatën e BE-së.

Tutje theksohet se të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor konfirmuar përkushtimin e tyre të fuqishëm drejt perspektivës së BE-së, duke potencuar se puna në reforma vazhdon sikurse edhe bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Mogherini dhe liderët e Ballkanit Perëndimor shprehën solidaritet me Shqipërinë pas tërmeteve të fuqishme atje gjatë fundjavës.