Ligji i ri për skemat pensionale, kërkohet qëndrim mbi 6 muaj

Ligjin për skemat pensionale, i cili u miratua në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Kosovës, përmban në vete disa ndryshime.

Pa qëndruar më shumë se gjashtë muaj brenda një viti në Kosovë, qytetarët të cilët janë larguar dhunshëm nga puna në vitet e 90-ta, nuk do të mund të përfitojnë pensionin kontribut-pagues. Por, ata që do të preken nga përfitimi i pensionit janë bashkatdhetarët që me vite janë larg Kosovës.

Rezident, nënkupton praninë fizike në Republikën e Kosovës mbi 183 ditë në çdo periudhë kohore 12 mujore.

Sipas ligjit, pagesa e pensioneve ndërpritet nëse pensionisti nuk është rezident në Kosovë.

Ndërkaq, për zbatimin e kësaj dispozite, thuhet se ministria përgjegjëse mund të nxjerrë akt nënligjor.

Sipas njohësve të Kushtetutës, ligji është diskriminues për disa kategori të pensionistëve.

Kjo pasi sipas tyre, ligjet e shteteve të tjera nuk lejojnë që bashkatdhetarët të qëndrojnë jashtë shtetit më shumë se gjashtë muaj.

RTK ka kërkuar informacione nga Ministria e Financave në lidhje me atë se sa kosovarë që jetojnë jashtë Kosovës do të përfitojnë nga ky ligj, e po ashtu edhe në lidhje me atë nëse ekziston ndonjë mundësi që nga ligji të përfitojnë edhe ata qytetarë që nuk qëndrojnë në Kosovë mbi 6 muaj brenda një viti, megjithatë nga e njëjta nuk u janë përgjigjur pyetjeve të televizionit.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, pati thënë se nga ligji për skemat pensionale do të përfitojnë rreth 70 mijë qytetarë.