Përfshirja e mundshme e Gjermanisë dhe Francës në dialogun me Serbinë, e mirëseardhur

Përfshirja e Gjermanisë dhe Francës në dialogun me Serbinë po shihet si një lajm i mirë për Kosovën.

Gjatë ditës së martës, mediet serbe raportuan që Gjermania dhe Franca dëshirojnë të përfshihen në dialog dhe të kenë ndikim më të madh në këtë proces.

Mirëpo, përfshirja e këtyre dy fuqive evropiane në dialog po shihet në mënyra të ndryshme nga njohësit e çështjeve ndërkombëtare dhe politike në Kosovë.

Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka thënë për lajmi.net, se përfshirja e Gjermanisë dhe Francës në procesin e dialogut është shumë e dobishme, pasi që sipas tij, Bashkimi Evropian akoma nuk e ka pozicionin unik kundrejt Kosovës, përderisa këto dy shtete e njohin pavarësinë e Kosovës dhe njohin sovranitetin e vendit tonë, siç u shpreh ai, në kuptimin e mos-ndryshimit të kufijve.

“Unë mendoj dhe nuk kam asnjë dilemë se përfshirja e Gjermanisë dhe Francës është shumë e dobishme aq më parë kur kemi parasysh faktin që BE-ja nuk ka një pozicion unik kundrejt Kosovës. Kjo nuk është diçka e re e as e arritur e jona për momentin sepse që nga iniciativa e Samitit të Berlinit të kancelares Merkel e këndej është parë rrugës që rolin udhëheqës në ndërmjetësimin Kosovë-Serbi ta kenë shtetet e fuqishme dhe kur flasim për shtetet e fuqishme në BE, pas largimit të Britanisë së Madhe kanë mbetur vetëm Gjermania dhe Franca.

Mbi këtë bazë unë mendoj se kjo është një lajm pozitiv e lajmi bëhet akoma më pozitiv e bëhet i shkëlqyeshëm për faktin se që të dyja vendet e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që të dyja vendet njohin sovranitetin në kuptimin e mos-ndryshimit të kufijve dhe e tëra që mbetet është vetëm aranzhim i pozitës së brendshme të minoriteteve dhe njohje reciproke Kosovë-Serbi”, deklaroi Hoti për lajmi.net.