Përfundon aksioni i Njësisë Speciale në veri, Elshani jep detaje

Nga pesë lokacionet që janë kontrolluar mëngjesin e sotëm, aksioni ka përfunduar në katër, ka konfirmuar për portalin serb “Kossev” zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

Ai ka thënë se për momentin nuk mund të japë detaje se ku dhe nëse dhe çfarë është gjetur.

“Operacioni i cili është realizuar në pesë lokacione, në tri komunat veriore, ka përfunduar para pak çasteve”, ka thënë ai.

Të gjithë pjesëtarët e njësive speciale si dhe oficerët e misionit EULEX janë larguar nga rruga ku ndodhet restoranti “Grey”.

Supozohet se policia ka sekuestruar disa automjete nga garazhi nëntokësor i kësaj ndërtese, dy prej të cilave janë me targa të Beogradit dhe një pa targa, transmeton Paparaci.

Në dy raste, pjesëtarët e policisë kanë nxjerrë nga objekti qese letre, me përmbajtje ende të panjohur.

Ndërkohë, policia e Kosovës ka konfirmuar se me urdhër të gjykatës për kontroll, bastisjet po kryhen në gjithsej pesë lokacione në tri komuna në veri.

Ata po ashtu konfirmojnë se në vendin e ngjarjes është prezent edhe prokurori, dhe se kontrollet po bëhen në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in.

Qytetarëve u është thënë nga policia se nuk duhet të shqetësohen.

Sipas informacioneve ende të pakonfirmuara, policia ka hyrë edhe në shtëpinë e një personi në Zveçan që është i lidhur me nënkryetarin e Listës Serbe, përndryshe një nga të ashtuquajturit “lideri i tifozëve”.

Përveç Policisë së Kosovës, në rrugë janë parë edhe një numër i madh i veturave të EULEX-it.