Përfundon certifikimi i kandidatëve dhe subjekteve politike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 90 subjekte politike për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Prej tyre janë 32 parti politike, 34 iniciativa qytetare, një koalicion dhe 23 kandidatë të pavarur.

Pas mbledhjes së anëtarëve të KQZ-së, zëdhënësi Valmir Elezi ka treguar për numrin e partive politike si dhe të kandidatëve që janë certifikuar.

“Komisioni Zgjedhor i Zgjedhjeve gjatë ditës së sotme, e shtunë ka përmbyllur procesin e certifikimit të kandidatëve dhe të subjekteve politike të cilët garojnë në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahet më 17 tetorit këtij viti. Pra gjatë mbledhjes së sotme KQZ ka certifikuar 90 subjekte politike dhe me mijëra kandidatë që u takojnë këtyre subjekteve politike, pra që garojnë çoftë për kryetarë komune apo me kuvende komunale,”, ka thënë Elezi.

Sipas tij, nga certifikimi i partive politike 32 janë parti politike, 34 iniciativa qytetare, një koalicion, si dhe 23 kandidatë të pavarur.

“Nga këto 90 subjekte politike, 32 janë parti politike, 34 iniciativa qytetare, një koalicione dhe 23 kandidatë të pavarur. Duhet ta përmendim një fakt jo të gjitha subjektet politike të cilat janë certifikuar nga ana e KQZ-së garojnë në çdo komunë janë vetë disa prej tyre subjekteve politike, janë kryesisht arti parlamentare të cilat garojnë në një numër të madh të komunave çoftë në garën për kryetarë komune apo në garën për kuvende komunale ”, ka shtuar Elezi.

Drejtori ekzekutiv i Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim (ZRPPC), Yll Buleshkaj gjatë mbledhjes së KQZ-së, ka thënë se janë mbi 5 mijë kandidatë për certifikim në komunat e Kosovës.

“Para jush kemi paraqitur rekomandimet e zyrës të cilët mendojmë që janë për kandidatët që kanë kaluar të gjithë filterat dhe rekomandojmë që të certifikohen nga KQZ. Kemi të bëjmë me mbi 5 mijë kandidatë në 38 zona zgjedhore”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Arianit Elshani ka kërkuar që të krijohet një bazë mbi të cilën kandidatët kanë të drejtë për tu ankuar rreth mos-certifikimit të tyre.

“KQZ u ka mohuar të drejtën për tu ankuar kandidatëve duke lejuar vetëm të drejtën e subjektit politik për të ruajtur vendin e tyre për kandidatura për asamble komunale dhe kryetar. Mendoj që duhet të diskutojmë, të jetë si pikë e rendit të ditës dhe të votohet kjo çështje e të merret një vendim lidhur me ofrimin e mundësisë për të gjithë kandidatët të cilët janë zëvendësuar të kenë një bazë ligjore për tu ankuar më tutje në PZAP dhe Gjykatë Supreme”, ka deklaruar ai.

Me këtë është pajtuar edhe anëtari i LVV-së, Sami Kurteshi i cili tha se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nuk ka vepruar drejtë.

“Unë nuk po e di si është e mundur PZAP me refuzua diçka të tillë. Janë dy mundësi edhe ankesa të bëhet 24 orëshe por edhe të apelohet në raport me certifikimin ose kundërshtimin. Vërtetë kjo është e çuditshme çfarë interpretimi është. Prej nga e drejta e PZAP-së me thënë ne nuk e marrim parasysh një ankesë që dikush nuk është certifikuar”, ka thënë ai.

Sa i përket kësaj, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tregoi se kandidatët që kanë rezultuar të dënuar janë tërhequr.

“Momentin kur zyra iu ka drejtua partive politike për zëvendësim të kandidatëve të cilët kanë rezultuar si të dënuar, partitë politike janë përgjigjur pozitivisht dhe i kanë ndrru kandidatë, kjo nënkupton se kandidatë e dënuar janë tërheqë momentin kur janë zëvendësua ata janë tërheqë edhe nuk janë më pjesë e kandidimit të tyre, nëse ata kanë dëshirojnë me parashtrua ankesë për ndryshim unë nuk e di pse duhet me lyp në KQZ se në momentin kur janë tërheqë ata nuk kanë çka me anku më. Për këtë arsye unë nuk mendoj se ne duhet me marrë vendim por në çoftë se ju mendoni se ju duhet me marrë vendim unë personalisht do të abstenojë nga kjo,” shton ai.

Lëvizja Vetëvendosje do të garojë në 28 komuna për kryetar me 933 kandidatë për kuvende të ndryshme komunale.Lidhja Demokratike e Kosovës në 27 komuna për kryetar me 841 kandidatë për asamble komunale. Po ashtu, Partia Demokratike e Kosovës do të garojë në 29 komuna për kryetar me 875 kandidatë. Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të garojë në 21 komuna për kryetar, me 700 kandidatë.

Nisma Socialdemokrate në 6 komuna për kryetar komune me 289 kandidatë dhe Aleanca Kosova e Re në 2 komuna për kryetar komune, me 259 kandidatë për kuvende komunale.