Përfundon pa fitues ‘Loja e Yjeve’

Skuadra e Granit Xhakës dhe ajo e Milot Rashicës kanë luajtur baraz 4 – 4 në miqësoren humanitare të organizuar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Kjo ndeshje me karakter humanitar është zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ishte futbollisti Ermir Lenjani (nga skuadra e Milot Rashicës) ai i cili realizoi golin e parë të kësaj ndeshje në minutën e 5-të.

Vetëm tre minuta pas golit të parë, Muharrem Sahiti arriti ta barazoi rezultatin në 1 me 1.

Pastaj Dardan Berisha arriti t’ia japë epërsinë skuadrës së Xhakës në minutën e 36-të.

Pesë minuta pasi filloi pjesa e dytë e këtij takimi, skuadra e Rashicës arriti ta barazoi rezultatin nëpërmjet Shefki Kuqit i cili festoi duke bërë gjestin e superman-it si në kohët e vjetra.

Pastaj golin e epërsisë e realizoi vet Milot Rashica në minutën e 47-të, duke përmbysur rezultatin në 3-2.

Mirëpo në minutën e 55-të Granit Xhaka e barazoi rezultatin sërish, duke shënuar një gol brenda zonës së rrezikshme dhe duke e bërë edhe më interesante lojën.

Vetëm dy minuta pas golit të kapitenit, Armend Thaqi arriti të kthejë rezultatin në 4-3 në favor të Xhakës duke tundur rrjetën e skuadrës kundërshtare.

Pastaj Ermir Lenjani arriti ta realizoi golin e dytë të tij në këtë ndeshje duke barazuar rezultatin në minutën e 75-të.

Kujtojmë se Loja e Yjeve është organizuar nga Komuna e Prishtinës dhe Artmotion me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të Prishtinës nga forcat serbe.

Të gjitha të hollat e grumbulluara nga shtija e biletave për këtë ndeshje, do t’u dhurohen fëmijëve me nevoja të veçanta.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se ky aktivitet do të organizohet edhe gjatë viteve të tjera, në mënyrë që t’u mundësohet edhe të tjerëve të jenë pjesë e këtij aktiviteti humanitar.