Përfundon protesta e veteranëve para Kuvendit të Kosovës

Ka përfunduar protesta e veteranëve të UÇK-së para Kuvendit të Kosovës.

Kjo pasi Kuvendi i Kosovës e ka ndërprerë seancën plenare.

Protesta që nisi në orën 10:00 eskaloi, pasi protestuesit u futën në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Policia ka njoftuar për dy policë dhe një protestues të lënduar.

“Protesta u thirr për ta përcjell seancën e Kuvendit. E pamë që e ka kundërshtuar opozita. Në votim s’morën pjesë, turp për 51 deputetët që votuan, për t’i hequr veteranët nga paga minimale. Si OVL kërkojmë të rritet paga minimale për të gjithë, së paku 300-400. Me ligj, Qeveria e ka mundësi ta rrisë pensionin e veteranit”, deklaroi u.d. i kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku.

Ai mohoi raportin e Policisë se u hodh gaz lotsjellës nga protestuesit.

“Gazin e hodhi dikush nga dritaret e Kuvendit”, shtoi ai.