Përplasja e Thaçit dhe Veselit me Kurtin e Konjufcën rreth “Syrit të Popullit” merr kahe tjetër (video)

Shpifje të paskrupullta i ka quajtur Albin Kurti dëshmitë e presidentit Hashim Thaçi dhe tani ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, të bëra gati 1 vit më parë, në një prej seancave më të tensionuara të gjykimit, në rastin e njohur si “Syri i Popullit”.

Në dëshminë e tyre, ku mes të akuzuarve është edhe një prej zyrtarëve të Vetëvendosjes, Sadri Ramabaja, Thaçi e Veseli, pretendonin se prapa organizatës, deri atëherë fantome, qëndronte Lëvizja Vetëvendosje, raporton KTV.

Por këtë po e kontestojnë Kurti e Konjufca, që pas kallëzimit penal të bërë për ‘Deklarim të rremë nën betim’, u ftuan nga Prokuroria si dëshmitarë, dhe i pari i Vetëvendosjes tha se kërkon dënimin e tyre.

E, si rrallëherë, Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i përgjigjet secilës thirrje të Prokurorisë për të dhënë dëshmi në këtë rast.

Derisa Kurti ka qenë duke u prononcuar për media, brenda objektit të prokurorisë është futur edhe anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.

Pas përfundimit të dëshmisë, Konjufca mirëpriti veprimet e ndërmarra nga Prokuroria në këtë rast.

Derisa Kurti kishte përfunduar dëshminë dhe Konjufca ishte në proces e sipër, mediave, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, u është drejtuar Kadri Veseli.

“Syri i Popullit nuk është diçka fiktive, por reale,” ka thënë mes tjerash Veseli.

Veseli bëri të ditur se nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga deklarimet e bëra dhe se do t’i shkojë deri në fund në aspektin ligjor.

Thaçi e Veseli kishin lidhur Lëvizjen Vetëvendosje, Albin Kurtin e Glauk Konjufcën, me organizatën “Syri i Popullit”.

Procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve në rastin “Syri i Popullit”, përveç Thaçit e Veselit, për dëshmitarë ka pasur edhe një sërë zyrtarësh të lartë, si ish-nënkryetarin e Kuvendit Xhavit Haliti e ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Gjykimi ndaj 10 të akuzuarve nga Prokuroria Speciale, ndër të tjerash, për vepra si “përgatitja e veprave terroriste” e “hakmarrja”, është ende duke vazhduar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.