Përplasje mes Kurtit e Mustafës: Tani po kërkohen edhe dy pozita tjera të larta

Pazaret politike për ndarjen e hises së pushtetit dhe pozitave në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë hasur në probleme të thella, më shumë se dy muaj nga përfundimi i zgjedhjeve akoma nuk kemi koalicion mes dy partive për të arritur formimin e qeverisë së re, shkruan Gazeta Metro.

Dy liderët, Albin Kurti dhe Isa Mustafa deri tani janë takuar disa herë mes vete, e filluan në shtëpi, pastaj në hotele e seli të partive, por tani takimet po zhvillohen në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Por, tani nuk është vetëm pozita e Presidentit ajo çfarë Kurti e Mustafa nuk po bien dakord për arritjen e marrëveshjes së koalicionit.

Pozita e Drejtorit të Agjencisë Inteligjente të Kosovës (AKI) dhe Kryeprokurorit të Shtetit, janë dy nga pozitat e reja që dy liderët janë përplasur dhe kanë ngritur telashet e reja.

“Vështirë se gjendet marrëveshja gjatë këtij viti”, ka thënë burim i Metros brenda bisedimeve mes LDK-VV.

Këto dy pozita të larta të shtetit janë kërkuar nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje që të ju takojnë atyre, e kjo ka shkaktuar nervozizëm dhe jopajtueshmëri tek LDK’ja.

Ndërkaq, zyrtarët e VV’së dhe LDK’së kanë zbuluar se pozita e presidentit është pika më e nxehtë e cila ka lënë dy partitë të bllokuara dhe duke mos arritur marrëveshjen, pozitë kjo që po kërkohet nga LDK’ja.

E gjithë kjo bllokadë u përcjellë nga presion i madh ndërkombëtar për formimin e qeverisë, madje nga Gjermania erdhën raportuesi për Kosovën në BE, Peter Beyer dhe Christian Schmidt, ku kërkuan formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re.

Jo vetëm dy anëtarë të Bundestagut gjerman, edhe zyra e BE’së në Kosovë, Ambasada Amerikane dhe ajo Britanike në Prishtinë kanë kërkuar që sa më parë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ta formojnë qeverinë e re.

Por, të gjitha këto hasën në vesh të shurdhër pasi LVV dhe LDK janë betonuar në qëndrimet e tyre për ndarjen e pushtetit dhe nuk ka ndryshim të pozicioneve.

Kujtojmë se Kryesia e Kuvendit ka bërë të ditur se mbledhja konstituive e Kuvendit që mbahet me 26 dhjetor, do të fillojë në ora 15:00…