Publikohet agjenda e samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë

Në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të jetë e para ndër liderët evropianë, që do të mbërrijë në kryeqytetin shqiptar.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj do të presë sot rreth orës 15:30 Presidenten e KE, Ursula von der Leyen.

Begaj dhe Von der Leyen do të zhvillojnë takimin në ambientet e Presidencës.

Pas takimit me Begajn, pritet që Von der Leyen dhe kryeministri Rama të zhvillojnë një konferencë për shtyp në Kryeministri në orën 17:30.

Ndërkohë, të hënën do të mbahet në Tiranë samiti i Procesit të Berlinit, ku do të marrin pjesë të gjithë liderët e vendeve të Ballkanit, të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit më të lartë të BE-së.

Ky lloj samiti i një rëndësie të veçantë mbahet për herë të parë jashtë kufijve të BE-së.

Kryeministria Shqiptare ka zbuluar edhe agjendën e këtij samiti.

Agjenda e plotë:

Në orën 11:00 do të jetë pritja e liderëve.

Në orën 11:30 fjala hapëse.

Në orën 12:00 nis sesioni i punës, integrimi i rajonit në tregun e përbashkët europian dhe përmirësimi i konvergjencës me BE.

Në orën 13:30 fotografia familjare.

Në orën 15:30 nis sesioni i dytë i punës, mbështetja e tranzicionit të gjelbër dhe dixhital në Ballkanin Perëndimor.

Në orën 16:45 do të përurohet Kolegji i Europës në Tiranë.

Në orën 17:30 do të nënshkruhet marrëveshja rajonale për njohje reciproke të kualifikimit profesional.

Në orën 17:45 konferenca e përbashkët për shtyp.

Në orën 18:30 ceremonia e inaugurimit të Piramidës.