Pesëshja diplomatike i kërkon Serbisë sqarimin e “Banjskës” dhe Kosovës themelimin e Asociacionit

Pesëshja diplomatike do t’i kërkojnë Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet dhe të vazhdojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano.

Ai i tha agjencisë serbe të lajmeve “Beta” se Serbia duhet të bëjë gjithçka për të hedhur dritë mbi sfondin, autorët dhe organizatorët e dhunës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, për të kërkuar përparim në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe zbatimin e detyrimeve nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013.

“Beta”, duke u thirrur në burime diplomatike në Bruksel, thekson se kjo konkretisht nënkupton organizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës me pjesëmarrjen e serbëve lokalë dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Të dërguarit e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, dhe këshilltarët e sigurisë të Presidentit të Francës, kancelarit gjerman dhe kryeministrit të Italisë, Emanuel Bonne, Jens Plettner dhe Francesco Talo, më 21 tetor vijnë në Kosovë e Serbi për bisedime me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ata vijnë me shpresën se të dyja palët do t’i zbatojnë obligimet e tyre pa vonesë dhe pa kushte. BE-ja dhe ShBA-ja i japin mbështetje të fuqishme zgjidhjes së marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të ardhmes evropiane të rajonit”, tha Stano.