Petkoviq akuzon kosovarët për inskenim të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës

Drejtori i të ashtuquajturës ‘Zyrë për Kosovë e Metohi’, Petar Petkoviq, i quajti deklaratat e zyrtarëve Kosovarë si spekulime të papërgjegjshme rreth sulmit të patrullës së policisë në Zubin Potok.

Sipas Petkoviqit deklaratat e zyrtarëve kosovarë po i kontribuojnë destbilizimit të situatës në Kosovë, dhe shprehu edhe mëdyshjet e tij rreth motivit të këtyre reagimeve.

“Sulmet e orkestruara ndaj serbëve dhe Beogradit zyrtarë para përfundimit të hetimeve, hedhin dyshim në motivin e këtyre ngjarjeve. Beogradi zyrtar është i palëkundur në përcaktimin e tij për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në mjediset e Kosovës dhe Metohisë pasi serbët nga atje e dinë më së miri vlerën e paqes” ka shkruar ai në konton e tij në Twitter.

Ministri i punëve të brendshme Xhelal Sveçla sot në konferencë për shtyp e ka vlerësuar si sulm terrorist incidentin në Veri të Kosovës, ku ishte shtënë me armë automatike dhe granatë dore ndaj patrullës së policisë.

Ministri Sveçla kishte shtuar se ky është incidenti i katërt i kësaj jave të sulmeve ndaj policisë kufitare të Kosovës.