Petkoviq pas plagosjes në Shtërpcë: Dikush donte të na dhuronte një Krishtlindje të përgjakshme

Pas plagosjes së dy të rinjve serbë në Gotovushë afër Shtërpcës, ka reaguar drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për “Kosovë dhe Metohi” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili ka thënë se sipas banorëve serbët janë qëlluar nga një shqiptar.

“Tentim për të vrarë dy djem serbë në Gotovushë afër Shtërpcës. Fëmijët janë qëlluar nga një shqiptar, sipas banorëve, nga një veturë në lëvizje. Millosh dhe Stefan janë plagosur me armë zjarri”, ka shkruar Petkoviq.

Sipas tij, ata janë qëlluar “derisa ishin duke bartur buzmin për Krishtlindjen”.“Dikush donte të na dhuronte një Krishtlindje të përgjakshme”, shkroi Petkoviq në llogarinë e tij në Twitter.