Pjetër Shala deklarohet i pafajshëm

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, ka filluar gjykimi ndaj Pjetër Shalës, i cili po akuzohet për krime lufte.

Pasi i është lexuar aktakuza, Pjetër Shala është deklaruar i pafajshëm.

“Unë i kuptoj të gjitha akuzat, mirëpo të gjitha këto janë shpifje dhe trillime. Deklarohem i pafajshëm”, tha Shala.

Në këtë gjykim në Specialen për Pjeyër Shalën, gjyqtarja ka njoftuar se do t’i thonë fjalët hyrëse Prokuroria dhe Mbrojtja e Viktimave, kurse të mërkurën e 22 shkurtit mbrojtja e Pjeter Shalës.

Gjyqtarja njoftoi se edhe vetë Pjetër Shala ka bërë kërkesë që të deklarohet diçka të mërkurën në lidhje me ato që akuzohet.

Sipas aktakuzës, Shala akuzohet se ka kryer katër lloje të veprave penale gjatë luftës, ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Versioni i parë i Aktakuzës kundër Pjetër Shalës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe Aktakuza e konfirmuar e korrigjuar u dorëzua më 1 nëntor 2021.

“Pretendohet se krimet u kryen afërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, Shqipëri, që pretendohet se shfrytëzohej nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK)”, thuhet në njoftimin e DHSK-së.

Deri më tani janë pranuar tetë persona për të marrë pjesë në proces si viktima dhe procesi i paraqitjes së kërkesave për pjesëmarrje si viktimë është ende i hapur.

Personat të cilët mund të vërtetojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si rezultat i drejtpërdrejtë i një krimi të pretenduar në Aktakuzën e konfirmuar të korrigjuar, ende mund të paraqesin kërkesë për pjesëmarrje në proces.