Plagoset me armë zjarri kreu i Njësisë Administrative të Kallmetit në Lezhë

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur mesditën e sotme në Kallmet të Lezhës. I plagosur nga të shtënat me armë është kreu i Njësisë Administrative të Kallmetit Besnik Simoni. Nga të dhënat paraprake mësohet se i plagosuri po dërgohet drejt spitalit rajonal të Lezhës.

Policia ka identifikuar autorin e dyshuar dhe po vijon krehjen e zonës për kapjen e tij, shkruan A2.

Njoftimi i Policisë Lezhë:

Rreth orës 13.30, në fshatin Kallmet, dyshohet se pas një konflikti verbal të nisur më parë në zyrë, është plagosur në rrugë, me armë zjarri pistoletë shtetasi B. S., me detyrë kryetar i Njësisë Administrative Kallmet, Lezhë, i cili është transportuar menjëherë për ndihmë mjeksore në spitalin e Lezhës.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj për të bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar A. M.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe fiksimin e çdo provë materiale që do t’i shërbejë hetimit, për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes.