Po sillemi si adoleshentë të pasigurtë e histerikë

Në lidhje me iniciativën për mini-Shengen Ballkanik dhe reagimet ndaj kësaj iniciative ka reaguar edhe opinionisti Agon Maliqi, i cili në profilin e tij në fb ka shkruar  se “jemi bërë aq patetik dhe qesharak sa është vështirë me na marrë kush në botë seriozisht. Prej politikanëve edhe nuk pritet shumë, por tejet zhgënjyes ky vajtimi automatik i mediave, opinionistëve dhe shoqërisë civile, që nuk ka aspak të bëje me mendim kritik, por thjesht me mendim impulsiv dhe dembel, inate apo frustrime”.

Postimi i plotë i Agon Maliqit:

Në raport me zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, si shoqëri prej vitesh po sillemi ose me indiferencë të plotë, ose si adoleshentë të pasigurtë dhe histerikë. Jemi automatikisht kundër çdo gjëje as pa e ditur mirë se për çka bëhet fjalë apo se si lidhet diçka me interesa strategjike.

Të paaftë për të artikuluar se pro çkaje jemi, kemi zgjedhur që vetëm të pozicionohemi kundër gjithçkaje që na del përpara dhe të viktimizohemi. Në fund për shkak të klimës histerike që po e prodhojmë, po përfundojmë me masa të pamenduara dhe populiste që po na e thellojnë izolimin, si puna me demarkacionin dhe taksën.

Besoni se jemi bërë aq patetik dhe qesharak sa është vështirë me na marrë kush në botë seriozisht. Prej politikanëve edhe nuk pritet shumë, por tejet zhgënjyes ky vajtimi automatik i mediave, opinionistëve dhe shoqërisë civile, që nuk ka aspak të bëje me mendim kritik, por thjesht me mendim impulsiv dhe dembel, inate apo frustrime. Dreqi e martë, mendojeni pak përgjegjësinë e fjalës publike para se me u shfry për do llajka.