Podujeva, zona me më së shumti ministra në kabinetin e ri qeveritar

Podujeva si asnjëherë më parë, do t’i ketë katër ministra në kabinetin e ri qeveritar në “Qeverinë Kurti”.

Për dallim nga Qeveria e kaluar e Haradinajt që s’pati asnjë ministër llapjan, ajo e Kurtit po del të jetë e “bereqetshme” për Podujevën, raporton Llapi.info.

Madje, llapjanët do t’i drejtojnë edhe disa ministri bajagi të rëndësishme. Pozitë të lartë ka marrë edhe kryetari në dorëheqje i Komunës së Podujevës, Agim Veliu.

Veliu, i cili do të duhet të jap dorëheqje sa më parë nga pozita e kryetarit të Komunës së Podujevës, do ta drejtojë Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Ministri ka marrë edhe djali i Xhemajl Mustafës, Besiani. I riu nga fshati Gllamnik i Podujevës do të jetë në krye të Ministrisë së Bujqësisë.

Ministria e Drejtësisë i është besuar Albulena Haxhiut, kurse Vlora Dumoshi do ta drejtojë Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Megjithatë, edhe pse të gjithë këta që tashmë kanë zënë pozita të larta në ekzekutivin shtetëror, asnjëri prej tyre s’jetojnë në Komunën nga e cila vijnë.

Ndërkaq, emërimi i Veliut në krye të Ministrisë së Brendshme ka bërë që Komuna e Podujevës të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Sipas ligjit, në momentin që e pranon pozitën e ministrit, Veliu duhet të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Podujevës dhe kjo Komunë brenda 45 ditësh mban zgjedhjet e reja ku zgjidhet kryetari i ri.