Policia e Kosovës bastisi edhe spitalin e Mitrovicës së Veriut

Policia e Kosovës ka kryer të premten kontrolle në pesë lokacione në tri komuna në veri të Kosovës, lidhur me sulmet ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit.

Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur një zyrtar policor dhe tre sulmues.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë (REL) se kontrollet në këto lokacione kanë nisur pas orës 06:00 dhe lidhen me zhvillimet në Banjskë.

Operacioni ka përfunduar rreth orës 7:30.

Elshani ka thënë se nuk ka persona të arrestuar, por që kontrollet janë kryer në disa vende specifike.

Sipas informacioneve të REL-it në teren, pjesëtarët policorë në Mitrovicë të Veriut kanë qenë te spitali i qytetit.

Aty, hetuesit kanë kërkuar që të kontrollohet një aneks ku gjendet ngrohtorja.

Drejtori i spitalit, Zllatan Ellek ka konfirmuar për mediat se policia i ka konfiskuar incizimet monitoruese dhe nuk ka gjetur asgjë tjetër të dyshimtë.

Zyrtarët policorë kanë qenë edhe te restoranti Gray në Mitrovicën e Veriut, i cili besohet se është në pronësi të Ema Radoiçiqit, bashkëshortes së nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Policia ka thënë se kontrollet i ka kryer në koordinim me misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX dhe misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

Millan Radoiçiq është akuzuar nga autoritetet e Kosovës se ka organizuar dhe ka qenë pjesë e sulmeve ndaj Policisë në Banjskë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla e ka publikuar një pamje me dron, duke thënë se njëri prej burrave – që shihet i veshur me uniformë me armë në dorë – ka qenë vetë Radoiçiq.

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të enjten një rezolutë, e cila e dënon sulmin ndaj në Banjskë dhe përmend nevojën e një hetimi ndërkombëtar për Serbinë dhe rolin e saj në këtë sulm.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit, dhe e ka mohuar përfshirjen e shtetit të tij në këtë sulm./rel