Policia jep detaje për vdekjen e 12-vjeçarit në Gjakovë që u godit nga ekskavatori

Në fshatin Skivjan të Gjakovës, gjatë ditës së djeshme një 12-vjeçar është goditur për vdekje nga një ekskavator.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimaj-Beqiraj.

Podrimaj-Beqiraj ka treguar se ngjarja ka ndodhur në ora 19:12 në rrugën “Pavarësia”.

“ Në fshatin Skivjan-Gjakovë ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, në mes një ekskavatori në lëvizje dhe një këmbësori, fëmijë i moshës 12-vjeçare. Njësitet policore, prokurori i shtetit, si dhe ekipi mjekësorë kanë dal në vendngjarje dhe mjeku ka konstatuar vdekjen e fëmijës”, ka treguar Podrimaj-Beqiraj për lajmi.net.

Ajo po ashtu ka bërë të ditur se është arrestuar edhe i dyshuari ndërkaq trupi i pajetë i 12-vjeçari i është dorëzuar familjarëve.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit personi i dyshuar është arrestuar dhe mbahet në ndalim policor ndërsa trupi i pa jetë i është kthyer familjarëve”, ka bërë të ditur ajo.

Ndërkaq, në medie u raportua se varrimi i 12-vjeçarit do të bëhet sot pas orës 15:00 në varrezat e fshatit Skivjan.