Policia: Nuk ka shpërthime në Veri, janë vetëm mjete piro-teknike

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Besim Hoti ka thënë se shpërthimet në Veri të Kosovës nuk vinin nga mjetet shpërthyese.

Pas një shpërthimi në Mitrovicën e Veriut, Policia e Kosovës është vendosur në Lagjen e Boshnjakëve. Përmes një videoje të publikuar nga gazeta lokale “Mitropol”, zyrtarë të Policisë së Kosovës shihen teksa janë vendosur në këtë pjesë të vendit.

“Bëhet fjalë për mjete piroteknike, nuk janë shpërthime që shkaktojnë efekte shkatërrimi, kanë efekte të zërimit, nuk ka lëndime. Kur flitet për Lagjen e Boshnjakëve, është një zonë jo një pikë e vetme”, ka deklaruar Hoti në Debat Plus të RTV Dukagjini.

Përgjatë të mërkurës së 6 dhjetorit, shpërthime të kësaj natyre dhe njëherit, edhe disa të shkaktuara nga granata dore kanë ndodhur në Veri të vendit.