Policia: Po na sulmojnë me molotov 300 persona në Dibër, jemi në rrezik

Policia e Shtetit deklaron se rreth 300 persona po sulmojnë me kapsolla dhe bomba molotov për të depërtuar brenda KZAZ-së, ndërsa po rrezikojnë jetën e punonjësve të policisë.

Në njoftim theksohet se po shkojnë përforcime nga Tirana për të bërë të mundur arrestimin e tyre.

“Nisur nga situata e krijuar në KZAZ-n Nr. 19 në Dibër, ku rreth 250 – 300 persona po vijojnë të sulmojnë punonjësit e policisë me sende të forta, kapsolla dhe bomba molotov, me qëllim depërtimin brenda ambjenteve të KZAZ-s, Policia e Shtetit iu bën thirrje organizatorëve që të distancohen menjëherë dhe të ndalojnë sulmin mbi forcat e rendit, pasi po rrezikojnë jetën e punonjësve të policisë.

Në ndihmë të Policisë së Dibrës janë nisur Forcat e Lëvizshme Operacionale, të cilat do të bëjnë ndalimin e personave përgjegjës me qëllim përballen e tyre me ligjin.

Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të mbrojtur objektet zgjedhore dhe do t’i përgjigjet me ashpërsinë e ligjit çdo sulmi ndaj punonjësve të Policisë dhe objekteve zgjedhore”.