Ministria e Tregtisë e pagoi një ekspert 20 mijë euro, Hajdari thotë se nuk janë shumë

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka paguar dy ekspertë të jashtëm me nga 20 mijë euro veç e veç për 20 ditë punë.

E kjo u bë e ditur në raportimin e ministres Rozeta Hajdari, para deputetëve të Komisionit për Ekonomi.

Kryesuesi i këtij komisioni, Ferat Shala, kërkoi llogari nga ministrja Hajdari, për ndarjen e këtyre mjeteve për këto ditë punë.

“Kush kanë qenë autorët e kësaj strategjie dhe sa ka kushtu hartimi i kësaj strategjie financiare nga ministria e juaj”, tha Ferati

Ndërsa ministra Rozeta Hajdari u arsyetua se ndarja e 100 mijë eurove u bë në kuadër të hartimit të një strategjie.

“Me këtë strategji janë shpenzuar 100 mijë euro për një grup të ekspertëve nga inkubatori i hartimit të politikave në Berlin”, tha ajo.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala insistoi të dijë emrin e ekspertëve që u paguan me nga 20 mijë euro.

“Unë po dua me dit emrin e personit që paguhet në Kosovë 20 mijë euro, që i bie 1 mijë euro dita. A nuk janë shumë 20 mije euro për 20 ditë”, e pyeti deputeti Shala.

Ndërsa ministrja Hajdari, u shpreh se kjo u bë që t shpaloset potenciali ekonomik i Kosovës, e që emri i ekspertit nuk i kujtohej.

“Jo nuk janë shumë për një njeri. Për të hartuar një politikë industriale, për të shpalosur potencialin ekonomik të Kosovës që ende nuk është një shtytës për potencial ekonomik, ne kemi pasur mundësi që t’i shpenzojmë 100 mijë euro që janë shumë pak krahasuar me nevojën e madhe. Nuk e maj mend as emrin e ekspertëve”, tha ajo.