Rama-Zelenskyt: Historia e Kosovës na ndihmon ta kuptojmë dhimbjen tuaj

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se historia e afërt me shqiptarët e Kosovës që u shpërngulën dhunshëm nga trojet e tyre dy dekada më parë, i ndihmon qytetarët e Shqipërisë që ta kuptojnë dhimbjen që po e përjeton Ukraina.

“Edhe pse mizorinë e kësaj lufte nuk mundet ta perceptojë sa e si duhet askush tjetër, përveç popullit ukrainas, më lejoni t’ju them i nderuar President Zelensky, se historia jonë e afërt, kur gjysmë milionë shqiptarë u shpërngulën me dhunën e spastrimit etnik, nga trojet e tyre në Kosovë dhe gjetën strehë në Shqipëri, na ndihmon sidoqoftë të ndjejmë nga larg dhimbjen e madhe të Ukrainës”, ka thënë Rama.

Sipas tij, Shqipëria dhe vendet e tjera ku ka shqiptarë, duke përmendur këtu në mënyrë të veçantë Kosovën, janë rreshtuar krah Ukrainës me zemër dhe mendje.

“Janë shumë të rralla në tridhjetë vjet pluralizëm, rastet kur në këtë parlament palët kanë rënë dakord dhe mbështetja, megjithë mend e megjithë zemër, e rezistencës ukrainase ndaj pushtuesve rusë, është një nga ato raste, edhe më të rralla, kur të gjithë ne këtu, kemi qenë dakord pa bërë as më të voglin diskutim. Qysh prej orës së parë të agresionit mbi Ukrainën, jo vetëm ne, po krejt Shqipëria, të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë, i gjithë kombi ynë, përfshirë edhe shtetin tjetër shqiptar, Kosovën, jemi rreshtuar krah jush, me zemër, me mendje, e me çdo gjë kemi mundur”, ka thënë Rama duke bërë të ditur se Shqipëria do të marrë pjesë në konferencën e donatorëve për Ukrainën në Varshavë që do të mbahet më 5 maj.

Rama e ka bërë këtë deklaratë të martën, në seancën e Kuvendit të Shqipërisë, gjatë të cilës presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky iu drejtua deputetëve të Shqipërisë përmes video-lidhjes.