Ilir Tolaj e fiton betejën ndaj ORCA-s | Këshilli i Etikës vendos: Doktorata është origjinale, denoncimi i pathemeltë

Këshilli i Etikës në Universitetin e Prishtinës ka marrë vendim që të pushojë procedura e filluar pas denoncimit të Organizatës për rritjen e cilësisë në arsim “Orca” kundër profesorit Ilir Tolaj, në nëntor të vitit 2022 për plagjiaturë në punimin e doktoratës. Ky vendim është marrë të hënën, në bazë të një raporti të komisionit të ekspertëve të UP-së dhe është konstatuar se denoncimi i kësaj organizate është i pathemeltë.

Në vendimin që ka siguruar Sinjali, thuhet se ky vendim është marrë në bazë të të gjitha rrethanave te rastit dhe tërësinë së tyre faktike dhe ligjore.

Sipas ekspertëve që kanë bërë analizën, është ardhur në përfundim se pjesët e kontestuara nga ORCA, “NUK janë pjesët kryesore të asnjë punimi shkencor, duke e përfshirë edhe atë të disertacionit të doktoratës.”

Kjo sepse, në bazë të nenit 10 të Kodit Etik të UP-së, shfrytëzimi i materialeve të tilla, në rrethanat ekzistuese, duke mos pasur për qëllim dezifnormimin dhe duke mos ia atribuuar vetes ato materiale, nuk mund të konsiderohet shkelje e përcaktuar.

“Ndërsa vlerësimi i një punimi, të punuar në Kosovë para 2 dekadave, me kritere të sotme të vendeve më të avansuara në shkencë e teknologji, është i pamundur e madje edhe i kundërligjshëm” – thuhet në vendim.

Anëtarët e këtij komisioni kanë konstatuar se disertacioni i doktoratës me titull “Sepsisi meningokoksik në Kosovë – përvojat tona në përdorimin e terapisë adjuvante” i mbrojtur në vitin 2004 është studim origjinal.

“Ky material nuk është shfrytëzuar asnjëherë më parë nga askush, rezultatet e nxjerra nga studimi janë origjinale, ndërsa diskutimi e përfundimi i këtij punimi janë origjinale të bazuara në rezultatet origjinale të studimit” – thuhet tutje në vendim.

Këshilli i Etikës ka arritur në këtë përfundim se punimi i profesor Tolajt i respekton standardet shkencore për një punim doktorate dhe se denoncimi duhet të refuzohet si i pathemeltë.