Politika po dëmton shkollat!

Shkruan: Burim Gjaka

Vendimi i fundit i politikbërsve në lidhje me ndërprerjen e procesit mësimor në shkolla një javë para kohe, për mua si Drejtor Shkolle dhe si prind është vendim i gabuar dhe i bazuar në arsye politike. ” Të mos kesh çfarë t’i bësh samarit dhe ta godasësh gomarin” nuk është në rregull.

Jemi dëshmitarë që virusi ka siguruar teren dhe numër ditëve të fundit, porse më së paku fajtorë për këtë gjendje janë shkollat. Të reflektosh në një muaj të fushatës zgjedhore, dhe së fundi në konventën e partisë së ministrit të shëndetsisë ku njerëzit grumbulloheshin me qindra dhe t’i godasësh shkollat është qesharake.

Është e lehtë të mbyllen shkollat, ngase nxënësit nuk kërkojnë subvencione nga plani i rimëkëmbjes, mirëpo të mos pritet sukses dhe cilësi me këtë qasje. Duhet të mendojmë kur dhe si u mbështetën shkollat gjatë pandemisë para se të marrim vendime për mbyllje.

Kemi mbajtur gjallë procesin me gjoks në këtë kohë, me staf të infektuar, me punëtor teknik të sëmurë dhe mbi 60 vite, më gra shtatzëna vetëm e vetëm të mbajmë shkollat hapur, sepse kemi konsideruar se asnjë model tjetër mësimi nuk ka sukses. Të vetmet institucione në këtë kohë që personat mbi 60 vite ishin komplet në punë janë shkollat sepse askush nuk lodhej për ta, dhe tash kur vie fundi bëhet hajgare.

Pse duhet të mbyllen shkollat dhe të gjithë sektorët tjerë të mbeten hapur? A gjendet virusi vetëm në shkolla, nëse po le t’i mbyllim krejtë. Por t’i mbyllim shkollat e t’i lëm hapur kafet, sheshet, tregjet, parqet, palestrat etj. ska asnjë sens. Nuk mund të arsyetohet mospuna e institucioneve duke mbyllur shkollat, kinse ne po mundohemi ta mbajmë situatën në kontrollë. Ku do të qëndrojnë prindërit, nxënësit, mësimdhënësit në kohën e mbylljes?

Sigurisht në kafe, sheshe, parqe etj, dhe atë në grumbuj, asesi në shtëpi.
Ky vendim do të arsyetohej sikur të merrej edhe për institucione tjera, por asesi në këtë formë. Pse të mbyllej p.sh shkolla ime kur nuk ka asnjë rast të infektuar as nxënës, as staf e as prindër?

Kemi formuar Taskë Forca vetëm për të qenë dhe t’i akuzojmë kur na duhet për ndonjë arsyetim. Kjo qasje përveq që është e gabuar, fatkeqësisht është edhe e dëmshme. Politika në vend se të mbështes shkollat, po e bën të kundërten.

Shkollat duhet të hapen të parat dhe të mbyllen të fundit, asesi e kundërta!