Politizimi në administratën publike përplas ministrin Veliu me deputeten e LVV-së

Politizimi në administratën publike ka përplasur sot ministrin e Punëve të Brendshme (MPB) Agim Veliu me deputeten e LVV-së Arbëreshë Kryeziu, në Komisionin për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media.

Në komision ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ishte ftuar të raportonte për procesin e bashkimit apo fizionimit të ish-Ministrisë së Administratës Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe procesin e funksionalizimit të ligjeve për reformën e administratës publike.

Deputetja e LVV-së Arbëreshë kryeziu, tha se në të gjitha raportet e fundit tregojnë se në administratën publike një prej mangësive është politizimi dhe ndërhyrjet politike.

“Kur flasim për administratën publike menjëherë evidentojmë që njëra prej mangësive dhe sfidave më të mëdha që administrata e ka pasur në vazhdimësi, e që vazhdon ta ketë edhe tash është pikërisht politizimi dhe ndërhyrjet politike. Lidhur me këtë ka edhe studime që janë bërë së fundi nga organizatat të ndryshme si të huaja si tonat që këtë fenomen e kanë quajtur edhe si kapje të shtetit”, tha ajo.

Asaj i ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu, i cili tha se sa i përket ndikimeve politike nuk janë imun askush, duke thënë se as ata nuk kanë përjashtim aty ku kanë pasur mundësi.

“Për sa i takon pjesës së parë nuk pajtohem me këto farë deklarime, konstatime, lidhur me administratën publike, me ndonjë përjashtim, unë nuk kam bërë ndonjë studim për administratën publike se cila është e çka është, por me ndonjë përjashtim unë kam vërejtur se administrata publike është e përgatitur dhe e kryen punën e vet në bazë të rregullave të përcaktuara. Për sa i takon politizimit dhe çështjeve të tjera nuk e besoj se është imun dikush në Kosovë në këtë aspekt, nuk keni përjashtim as ju atje ku keni pasur mundësi”, tha ai.

Deputetja e LVV-së ka vazhduar të pyes ministrin lidhur me Ligjin për Pagat në sektorin publik, por që ministri Veliu tha se nuk është ftuar të flas për këtë temë.

“Në bazë të kërkesës së komisionit unë kam ardhur për dy pika të rendit të ditës, procesi i bashkimit apo fuzionimit të ish Ministrisë së Administratës Publike dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe procesi i funksionalizimit të reformës së administratës publike. Unë jam i gatshëm të, unë kam të drejtë të jap apo të mos jap përgjigje që nuk temë e takimit të sotëm. Për çështje të tjera organizojmë një takim tjetër”, tha ai.

Por, deputetja Arbëresha Kryeziu, tha se pyetjet e saj kanë të bëjnë me reformën në administratë publike, derisa e ka kritikuar se nuk di të përgjigjet në pyetjet që nuk ia kanë shkruar kabineti.

“Problemi është që ju jeni mësuar të lexoni dhe i lexoni shumë bukur keni avancuar në lexim në atë që po ua shkruan kabineti juaj. Gjithçka çka unë fola prej fjalës së parë e deri në të fundit nuk ka të bëjë aspak me asgjë tjetër jashtë asaj për çka ju jeni ftuar në komision të flisni. Ju pyeta për administratën publike, për ligjin për paga, për rekrutimin e stafit civil që ndërlidhen me administratën publike. As edhe një pyetje që unë e bëra gjatë fjalës time nuk është jashtë asaj për çka ju jeni ftuar”, tha ai.

Ministri Veliu duke iu drejtuar asaj tha se edhe ajo e ka lexuar pjesën e propagandës, që tha se i është dhënë për ta lexuar.

“Duket atë pjesën e propagandës e politike e lexuat edhe ju. Edhe unë i përgatis paraprakisht, e keni detyrë me i lexua ato që ua japin, e keni detyrë me i lexua ato deklarata politike”, tha ai.

Sërish i ka reaguar deputetja e LVV-së Arbëreshë Kryeziu, e cila tha se ai e ka obligim të raportojë në komision dhe jo të komentojë kush ua shkruan fjalimet.

“E keni obligim të raportoni në komision dhe jo me ardhë dhe me i komentua kush na i shkruan neve fjalimet nëse na i shkruan ose nuk na i shkruan. Prandaj, përmbaju z. Ministër dhe thjeshtë përgjigju pyetjeve që ne po t’i bëjmë si anëtarë të këtij komisioni të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Unë i përgatis vet, prandaj lexoj mirë dhe flas mirë, për dallim prej teje që keni avancuar në lexim por nuk arrini të përgjigjeni”, tha ai.

Ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu, në këtë komision ka bërë të ditur se sa i përket ligjit për paga kanë themeluar grupin punues për hartimin e projektligjit të ri në pajtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sa i përket ligjit për zyrtarët publik, Veliu tha se kanë marrë të gjitha hapat e nevojshëm në kompletimin e kornizës ligjore, përkatësisht hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore për zbatimin e ligjit të zyrtarëve publik duke respektuar në plotëni aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ne si Ministri para disa ditëve kemi pranuar përfundimin e Kuvendit të Kosovës në bazë të të cilit do të fillojmë punën për plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji. Përkundër kësaj situate ministria që unë drejtojë ka marrë të gjitha hapat e nevojshëm në kompletimin e kornizës ligjore, përkatësisht hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore për zbatimin e ligjit të zyrtarëve publik duke respektuar në plotëni aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Sa i përket pjesës që ka të bëjë me marrëdhënien e shërbimit civil janë hartuar 13 rregullore nga të cilat tani më 11 janë miratuar, 1 është në proces të miratimit dhe një është në procesin e hartimit…(Ligji për paga)Menjëherë pas pranimit të aktgjykimit kemi themeluar grupin punues i cili është duke punuar në hartimin e projektligjit për pagat në pajtim të plotë me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Kryetari i Komisionit Mërgim Lushtaku, pyeti se si është bërë strukturimi i zyrtarëve civil pas fuzionimit të dy ministrive, ku tha se shumë zyrtarë kanë pozita të njëjta.

“Prej 16 ministrive vetëm Ministria e Mbrojtjes e ka miratuar në qeveri rregulloren për fuzionimin e brendshëm dhe ri sistematizimin e vendeve të punës. Pse ju si ministri gjegjëse e thirrur për Adminsitratë nuk e kemi miratuar rregulloren e tillë”, tha ai.

Ministri Agim Veliu, tha se rregullorja e ministrisë që e drejton pritet të miratohet brenda tre ditëve.

“Për sa i takon çështjes së fuzionimit, ne në Ministrinë e Punëve të Brendshme jemi në fund, do të thotë këto ditë pritet aprovimi i rregullores së brendshme për sistemimin e vendeve të punës, sepse kjo rregullore është përgatitur nga një komision të cilin e kam themeluar dhe është përgatitur drafti përfundimtar dhe në këto dy tri ditë pritet që të miratohet nga unë. Ndërsa, për sa i takon fuzionimit të nëpunësve civil ende të gjithë nëpunësit janë duke punuar në vendet e tyre, sepse pritet nënshkrimi dhe miratimi i rregullores së brendshme për strukturimin e vendeve të punës pas bashkimit të dy ministrive”, tha ai.

Kryetari i Komisionit Mërgim Lushtaku, ka pyetur edhe lidhur me mbajtjen e disa pozitave me ushtrues detyre të sekretarëve permanent ku ka sekretar që janë në listë të pritjes, për çka ministri Agim Veliu, tha se aktualisht vetëm tre sekretar permanent janë në pritje.

“Në bazë të evidencave tona kemi vërejtur se disa pozicione janë me ushtrues detyre, ndërsa për sa i takon sekretarëve permanent informacionet tona tregojnë që aktualisht vetëm tre sekretarë permanent janë në pritje, tjerë nuk ka dhe për ta është duke u diskutuar dhe duke u harmonizuar me ta se duhet të jetë pëlqimi edhe i tyre që të pozicionohen në pozita të njëjta apo ekuivalente siç e kërkon ligji. Besoj që shumë shpejt do të sistemohen dhe neve na hapet mundësia të hapim konkurse për pozitat e brendshme që janë me ushtrues detyre”, tha ai.