Polonia me kërkesë deri te vendet e NATO-s në lidhje me Ukrainën

Furnizimi me avionë luftarakë i Ukrainës duhet të bëhet bashkërisht nga vendet e NATO-s, tha kryeministri polak Mateusz Morawiecki të mërkurën, pasi Uashingtoni hodhi poshtë ofertën e Polonisë që avionët e saj MIG-29 të dërgoheshin në një bazë ajrore amerikane me qëllim që t’i jepeshin më pas Kievit, raporton VOA.

Polonia tha dje se ishte gati të dërgonte të gjithë avionët e saj MIG-29 në bazën ajrore Ramstein në Gjermani dhe t’i vendoste në dispozicion të Shteteve të Bashkuara, duke u kërkuar anëtarëve të tjerë të NATO-s të bënin të njëjtën gjë. Sipas propozimit polak, SHBA do të furnizonte Poloninë me avionë amerikanë me “kapacitet të ngjashëm”.

Por Polonia nuk ia kishte parashtruar këtë ide administratës së presidentit Bidenit përpara se të dilte publikisht me të, dhe Pentagoni më vonë e hodhi poshtë ofertën si të papranueshme.

Dërgimi i avionëve luftarakë nga një bazë e SHBA-së dhe NATO-s në hapësirën ajrore të kontestuar nga Rusia, do të rriste rrezikun e zgjerimit të luftës përtej Ukrainës.

“Një vendim i tillë serioz si furnizimi me avionë duhet të ndërmerret unanimisht nga e gjithë aleanca e Atlantikut të Veriut,” tha kryeministri polak sot gjatë një konference për shtyp në Vjenë.

“Ne nuk ramë dakord të dërgonim avionë në mënyrë të njëanshme, sepse duhet të jetë vendimi i të gjithë NATO-s,” shtoi ai.

Kremlini e cilësoi ofertën e Polonisë si një skenar potencialisht të rrezikshëm dhe të padëshirueshëm.

Ukraina u ka bërë thirrje vendeve perëndimore që t’i ofrojnë avionë luftarakë për t’i bërë ballë agresionit rus. Ligjvënësit amerikanë e kanë nxitur administratën e Presidentit Biden të mundësojë transferimin e avionëve.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy gjithashtu i ka kërkuar vazhdimisht Perëndimit të vendosë një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, por Shtetet e Bahkuara dhe aleatët e saj në NATO i kanë hedhur poshtë këto thirrje, pasi kjo do të nënkuptonte fillimin e një konfrontimi të drejtpërdrejtë me Moskën.

Ministria ruse e mbrojtjes ka paralajmëruar se vendet që ofrojnë aeroporte për sulme ndaj Rusisë mund të konsiderohen se kanë hyrë në konflikt.

Zëvendësministri i Jashtëm polak Pawel Jablonski i tha stacionit të radios publike Polskie Radio 1 se Polonia duhej t’i jepte përparësi sigurisë së saj kur shqyrtonte çështjen e furnizimit me avionë të Ukrainës.

“Nuk bëhet fjalë që Polonia të jetë i vetmi vend i NATO-s që të rrezikojë, pa angazhimin e vendeve të tjera,” tha ai.

MIG-29 është një avion luftarak sovjetik, që pilotët ukrainas dinë ta përdorin. Trajnimi për avionët amerikanë mund të kërkojë vite dhe një sistem plotësisht ndryshe mirëmbajtjeje.