Premtimet me bollëk të kandidatëve për kryetarë të komunave në Kosovë

Investimet në infrastrukturë dhe në fushën e shëndetësisë, janë premtime që dominojnë gjatë fushatës zgjedhore të kandidatëve për kryetarë të komunave më të mëdha, për zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë, vlerësojnë nga Instituti për hulumtime të avancuara, GAP.

Por, përderisa premtimet për investime në infrastrukturë, mund të jenë të realizueshme, premtimet në fushën e shëndetësisë, e sidomos ato që kanë të bëjnë me çështjen e luftës kundër pandemisë së koronavirusit, nuk janë në kompetencat e pushtetit lokal, vlerëson Bekim Salihu, hulumtues i lartë në Institutin GAP.

Instituti GAP është duke mbikëqyrur fushatat zgjedhore dhe premtimet që japin kandidatët për kryetarë të të gjitha komunave në Kosovë.

Sipas institutit GAP, garat më të mëdha po zhvillohen në komunat më të mëdha: Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Gjilan dhe Ferizaj, e të cilat njëkohësisht njihen si komuna që përfaqësojnë shtatë rajonet e Kosovës.

Radio Evropa e lirë ka evidentuar një numër të madh premtimesh, të cilat i kanë bërë përgjithësisht kandidatët për kryetarë të komunave më të mëdha dhe ato kryesisht përqendrohen në investimet infrastrukturore, investime në shëndetësi, për përmirësimin e ambientit, për ekonominë dhe mbështetjen për bizneseve e vogla dhe të mesme, mbështetjen e të rinjve, sportit dhe kulturës e të tjera.

Ndërtimi i parqeve dhe hapësirave të gjelbra, ndriçimi i të gjitha rrugëve dhe hapësirave publike, zhvillimi i pikave të caktuara turistike nëpër komuna, zgjidhja e problemeve të ujit të pijshëm, impianteve për ujërat e zeza dhe kanalizimeve, zgjidhja e problemit me qentë endacakë, ndërtimi i zonave industriale dhe të tjera, janë premtime që janë bërë thuajse nga shumica e kandidatëve për kryetarë në të gjitha komunat e mëdha të Kosovës.

Salihu: Premtimet më të mëdha, në fushën e infrastrukturës

Bekim Salihu, hulumtues i lartë në Institutin GAP, thotë për Radion Evropa e Lirë fushata zgjedhore për zgjedhjet e 17 tetorit, ka shpalosur të paktën një fakt pozitiv dhe se në shumicën e komunave, qoftë kryetarët aktualë që synojnë edhe një mandat tjetër, qoftë kandidatët tjerë që garojnë për të parin e komunës, përgjithësisht i kanë programet e tyre të shkruara, e të cilat i kanë shpalosur para elektoratit. Gjithashtu, sipas tij, deri më tash është zhvilluar fushatë zgjedhore korrekte dhe nuk janë shënuar acarime dhe ofendime ndërmjet kandidatëve që janë në garë për kryetarë komunash.

Por, a janë premtimet e kandidatëve, të cilët, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, do të garojnë për kryetarë të komunave më të mëdha të vendit, premtime klishe dhe të cilat janë dëgjuar edhe në zgjedhjet e mëparshme lokale?

Bekim Salihu shpreh mendimin se një numër i premtimeve janë dhënë kuturu dhe ka të tilla që nuk janë fare në kompetencat e pushtetit lokal.

“Në lidhje me premtimet që po japin (kandidatët për kryetarë) në këto komuna kryesore, sërish është njëjtë sikurse në fushatat e kaluara. Prin fusha e infrastrukturës për nga numri i premtimeve që i japin. Problemet kryesore në komunat e Kosovës janë: ndotja e ajrit, mungesa e gjelbërimit, mungesa e parkingjeve, mungesa e koncepteve dhe projekteve që do të gjeneronin estetikë urbane. Po ashtu, kemi mungesë të investimeve në fushën e trajtimit të ujërave të zeza. Këto probleme janë të shtrira thuajse në të gjitha komunat e Kosovës dhe çuditërisht ose në mënyrë paradoksale e përcjellin Kosovën që nga paslufta”, tha Salihu.

Ai shtoi se përvojat e deritashme kanë treguar se këto probleme me të cilat ballafaqohen qytetarët në 38 komunat e Kosovës, kanë mbetur të pazgjidhura për shumë vite, pavarësisht premtimeve që më parë kishin bërë në fushata zgjedhore kryetarët e komunave.