Presheva sot po voton

Qytetarët e komunës së Preshevës do të votojnë sot në zgjedhjet e parakohshme lokale, ku duhet të zgjedhin 38 përfaqësuesit e tyre në kuvendin komunal.

Janë 41.600 votues të cilët do të zgjedhin një nga shtatë subjekte politike, që aspirojnë të jenë pjesëmarrës në ushtrimin e qeverisjes vendore në katër vitet e ardhshme.

Derisa janë 38 qendra votimi. Kurse, në garë janë gjashtë parti shqiptare dhe një listë serbe, koalicion ky i përbërë nga tetë parti serbe.

Ardita Sinani nga Partia për Veprim Demokratik, është kandidatja e vetme femër që synon rikthimin në krye të komunës. Kurse, për të parin e komunës në garë është edhe Shqiprim Arifi nga Alternativa për Ndryshim, Ragmi Mustafa nga radhët e Partisë Demokratike Shqiptare, Naser Azizi nga radhët e Unionit Demokratik Shqiptar, Armend Aliu nga Alternativa Demokratike Shqiptare, si dhe Sami Salihu nga Lëvizja për Reforma.

Përndryshe, kuvendi komunal u shpërnda në mes të muajit dhjetor 2020, për arsye se nuk është mbajtur asnjë seancë që nga 27 gushti 2020.