Cufaj: Kosova është duke biseduar për Asociacionin

Ish- ambasadori Beqë Cufaj tha se dekada e mjaltit që Vuçiq që ka pasur në Berlin ka përfunduar njëherë e përgjithmonë gjatë periudhës së qeverisjes së Angela Merkel.

“Vuçiq e ka kuptuar se Gjermania nuk është më ajo që ka qenë. Gjermania ka ndryshuar qasjen e saj në mënyrë radikale ndaj Rusisë e edhe ndaj Serbisë”, tha Cufaj në “21 drejtpërdrejt” në RTV21.

Sipas tij Serbia tashmë e ka vërejtur se nuk është me konselacioni politik si ka qenë edhe kjo është mirë për Kosovën.

“Kosova duhet ta kuptojë momentin dhe kujtoj se është me rëndësi që edhe opinion jonë ta di që Kosova ka në Gjermani një aleat të fortë.”, tha ai.

Sipas tij, Asociacioni i Komunave serbe është detyrim i Kosovës.

Ai u shpreh se ky detyrim duhet të përmbushet në bazë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës..

“Nëse Qeveria e Kosovës vepron kokë në vete pa koordinim me partnerët ndërkombëtarë atëherë jemi në një situatë kur kushtet do të jenë edhe më të vështira që do të na parashtrohen nga partnerët tanë”, u shpreh Cufaj.

Ai po ashtu deklaroi se Kosova është duke zhvilluar bisedime për Asociacionin.

“Kush po thotë që Kosova s’po diskuton për Asociacionin. Me sa e di unë Kosova është duke biseduar për Asociacionin dhe Kosova bën mirë që është duke biseduar për asociacionin. Nëse do arrihet marrëveshje ose jo të shohim. Kujtoj se është jo relevante nëse do jetë pjesë e draft- marrëveshjes franko gjermane, sepse deshëm s’deshëm publikimet që dalin nga ajo letër duhet të përmbushën”, tha Cufaj.

Kurse, në lidhje me barrikadat në veri tha se presidenti serb Alaksandar Vuçiq, nuk e ka luksin të konfrontohet me trupa e NATO-s në Kosovë.

Ai po ashtu deklaroi se bisedimet Kosovë – Serbi janë tepër intensive.

“takimet janë tepër intensive dhe tash gjithë energjia është orientuar në dy fusha (brazda), brazda e parë quhet shtensionimi i situatës në veri dhe brazda e dytë quhet marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Cufaj.