Presidenti Thaçi dekoron pesë personalitete të familjes Delia nga Prekazi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë vendim që për merita të veçanta të dekorojë pesë personalitete historike të familjes Delia nga Prekazi.
Me titullin “Hero i Kosovës” janë dekoruar Ahmet Delia dhe Mursel Ahmeti, ndërsa me titullin “Urdhëri i Lirisë” janë dekoruar pas vdekjes Brahim Ahmeti, djali i Ahmet Delisë si dhe dy nipërit e tij Isë Zymer Ahmeti dhe Vesel Hajzer Ahmeti.
Ahmet Delia si prijës udhëhoqi shumë kryengritje kundër autoriteteve osmane në vitin 1891, 1903, 1907, ndërsa në vitin 1912 së bashku me Hasan Prishtinën u bë nismëtar i kryengritjes së përgjithshme, e cila rezultoi me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Me 25 dhjetor të po këtij viti, ai ra heroikisht në Prekaz, në një ballfaqim të pabarabartë me njësitë ushtarake serbe, të cilat kishin sulmuar popullatën civile.
Mursel Ahmeti mori pjesë në të gjitha kryengritjet e udhëhequra nga babai i tij, përfshirë edhe betejën e fundit me njësitë ushtarake serbe me 25 dhjetor të vitit 1912.
Pas vdekjes së Ahmet Delisë, Mursel Ahmeti vazhdoi rrugën e tij, duke u bërë njëri nga autoritetet kryesore në Lëvizjen Kaçake të Kosovës.
Brahim Ahmeti është djali i vogël i Ahmet Delisë. Ishte komandant i njësive ushtarake të Drenicës Lindore në mbrojtjen e kufijve të Kosovës dhe në luftën kundër njësive çetnike serbe në zonën e Novi Pazarit, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Edhe sot në Drenicë kujtohet respektimi strikt prej tij i zakoneve të luftës gjatë qëndrimit të njësive të komanduara prej tij në Novi Pazar. Isë Zymer Ahmrti ishte komandant batalioni në Brigadën e Shaban Polluzhës.
Pas luftës i dënuar me burg të përjetshëm nga regjimi jugosllav, Isa në vitin 1951 do të arrij të arratiset nga burgu i Mitrovicës së Sremit dhe pas një odiseade epike nëpër Serbi, ai do të të kthehet në Kosovë, ku pas një viti qëndrimi në malet e Drenicës, do të kalojë në Shqipëri.
Vesel Hajzer Ahmeti, pjesëmarrës në Lëvizjen ilegale shqiptare të pas Luftës së Dytë Botërore, në kuadër të grupit të NDSH për Drenicë. U dënua me 20 vite burg politik për këtë veprimtari.