Prishje të rrymës për shkak të erërave të forta, KEDS’i jep detaje

KEDS’i ka bërë të ditur se si pasojë e erërave të fuqishme, janë shkaktuar prishje të shtyllave elektrike. Si pasojë e kësaj, në rajonin e Pejës, Mitrovicës, Prizrenit e Gjakovës ka problem me energji elektrike

Përmes një komunikate, KEDS’i ka njoftuar se po bëhen përpjekje që prishjet të sanohen.

“KEDS njofton se në disa pjesë të vendit, sidomos pjesën perëndimore janë duke fryrë erëra të fuqishme. Si pasojë, janë shkaktuar një numër i konsiderueshëm i prishjeve, vecanërisht në rajonin e Pejës. Disa prishje janë edhe në rajonet e Prizrenit, Mitrovicës e Gjakovës. Ka shumë shtylla të thyera dhe përcues (tela) të këputur”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, KEDS’i bën të ditur se rrjeti i trashëguar ka qenë në gjendje të rëndë dhe e bën të pamundur të ndërtohet për një kohë të shkurtër.

“Për tu evituar këto situata, KEDS po bën investime të fuqishme anëkend vendit, sikurse ka bërë mirëmbajtjen e vazhdueshme të rrjetit. Por, dihet se rrjeti i trashëguar ishte në gjendje mjaft të rëndë që e bën të pamundur të ndërrohet komplet për një kohë kaq të shkurtër”, thekson KEDS’i./Express/