Pritet ndryshim i masave për luftimin e COVID-19, qytetarët ftohen ta rrisin kujdesin

Këtë të hënë është mbledhur Komisoni këshillëdhënës për masat kundër COVID-19 në Kosovë.

“Në këtë takim është theksuar nevoja e respektimit të plotë të masave të ndërmarra më parë përmes mbikëqyrjes së zbatimit të tyre nga të gjitha institucionet përgjegjëse, ndërkohë që popullatës i është bërë thirrje që të vaksinohen plotësisht, përfshirë edhe marrjen e dozës përforcuese të vaksinës kundër COVID-19”, thuhet në kumtesë, transmeton Fokusi.info.

“Komisioni ka theksuar se janë duke u analizuar indikatorët kryesorë që pasqyrojnë situatën epidemiologjike në vend, ndërsa secili veprim apo masë që do të propozohet do të ketë për qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejme të virusit si dhe parandalimin e formave të rënda të sëmundjes që rrisin ngarkesën spitalore dhe vdekjet, nga varianti Omicron apo variantet e tjera në qarkullim të SARS COV-2”.

Më tej përmendet se mekanizmat antiCOVID-19 do t’i marrin për bazë indikatorët shëndetësorë për të propozuar masa sa më adekuate lidhur me COVID-19 në Kosovë.

Deri në ndryshimin e masave të tanishme qytetarëve u bëhet thirrje që ta rrisin kujdesin.