Pritet rritje e të hyrave buxhetore si pasojë e kontrollit më efektiv në tregun e naftës

Gjatë vitit 2021, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) pritet të fillojë procesin e shënjimit molekular të naftës. Për këtë, MINT ka kontraktuar një kompani zvicerane, SICPA SA, e cila ka përvojë në sisteme të sigurisë dhe e cila prodhon elemente të sigurisë për valutat kryesore botërore, duke përfshirë dollarin amerikan, euron etj.

Shënjimi molekular i naftës pritet që jo vetëm të rrisë cilësinë e naftës në tregun e brendshëm, por edhe të ngritë nivelin e mbledhjes së taksave nga importi i naftës në Kosovë, shkruan lajmi.net. Kjo pritet të arrihet përmes eliminimit të kontrabandës dhe përzierjes së naftës me produkte tjera që nuk kanë ngarkesë akcizën.

Kompania zvicerane SICPA u është përgjigjur pyetjeve nga lajmi.net në lidhje me punën që ata pritet të bëjnë në Kosovë së bashku me Qeverinë, në lidhje me adresimin e mangësive me sigurimin e kontrollit të cilësisë së naftës në tregun e brendshëm. SICPA shpjegoi se ata ofrojnë mbështetje të ekspertizës, si dhe teknologji për të zbatuar shënjimin molekular të naftës pasi këtë e kanë bërë edhe në vendet e tjera. Për më tepër, ata deklaruan se një qasje e tillë është shumë efektive për të përmirësuar përgjegjësinë fiskale në industrinë e naftës në Kosovë, si dhe për të monitoruar dhe kontrolluar cilësinë e naftës.

Për shembull, sipas SICPA, qeveria në Shqipëri rriti të ardhurat nga taksat për 28 për qind si rezultat i zbatimit të shënjimit molekular të naftës. Ndërsa, në Filipine ku programi i shënjimit molekular ka qenë në zbatim që nga viti 2019, ndihmoi vendin për të mbledhur 4.23 miliardë dollarë taksa. Shënjimi molekular i naftës shihet gjithashtu si shumë i rëndësishëm për të frenuar kontrabandën e karburantit dhe për të ndihmuar industrinë të bëhet më konkurruese.

Si funksionon programi i shënjimit molekular të naftës?

Shënjimi unik molekular për naftë bëhet në momentin kur tankeri i naftës arrin në doganë dhe kryen obligimet tatimore ndaj shtetit. Operatori profesional injekton në tanker një sasi të vogël të lëngut të sigurt (shënjuesit), i cili pas përzierjes me naftë mund të detektohet nga pajisjet profesionale laboratorike.

Shënjuesi shërben si vulë, e cila dëshmon se nafta e importuar është sipas cilësisë së importuar dhe se të gjitha obligimet tatimore ndaj shtetit janë të kryera në kohën e importit. Shënjuesi nuk ka ngjyrë dhe i përmbushë të gjitha standardet për mbrojtjen e ambientit.

Me futjen e naftës së shënjuar në treg, inspektorët e tregut të MINT, së bashku me operatorët profesional të SICPA dalin në terren për të marrë mostrat e naftës në pompa të benzinës për analizë. Mostrat e naftës kontrollohen nga laboratori i specializuar mobil, me qëllim të verifikimit të përmbajtjes së shënjuesit molekular në naftë. Analiza do të tregojë koncentrimin e shënjuesit në mostër. Në rast se koncentrimi i shënjuesit në mostër është më i vogël se sasia e vendosur në import atëherë kjo është tregues se ajo pompë e benzinës është duke shitur naftë të përzier apo kontrabanduar. Si pasojë, inspektorët do ndërmarrin masat ligjore kundër operatorit ekonomik që ka bërë abuzimin me cilësinë e naftës dhe ikjen e obligimeve tatimore ndaj shtetit.